Tri vjet pa Arlind Gjikollin – Gjiklën, arti dhe profesionalizmi i tij udhërrëfyes për kolegët

Sot bëhen tre vjet që u nda nga jeta artisti, drejtori menaxhues i Telegrafit, Arlind Gjikolli, i njohur si Gjikla.

Gjikla, siç e njihnin të gjithë ndërroi jetë më 5 dhjetor 2022, në moshën 41 vjeçare pas një sëmundje të rëndë.

Gjersa vitet po kalojnë pa praninë fizike të Gjiklës, kujtimi për të vazhdon të jetë i fortë te kolegët.

Diskutimet dhe momentet e bashkëpunimit sjellin në mendje praninë e tij të qetë, fjalët e mira, përkushtimin, duke ndarë kujtime nga ditët e punës së përbashkët dhe rrëfimet që e përshkruajnë më së miri atë si njeri dhe si profesionist.

Gjikla ishte themeluesi i grupit “W.N.C” nga Peja, ndërsa labeli, i cili u krijua në vitin 1996, u bë më i famshëm për audiencën shqiptare kur në treg doli CD-ja e tyre e parë “Pse”.

Gjikla zhanrin e muzikës ‘Rep’ në Kosovë e kishte vënë në një stad më të zhvilluar, qoftë me tekste të angazhuara, me muzikë apo me interpretim.

“Çka kom pasë”, “Qikat e mira”, “Për ty” … janë disa prej këngëve të këtij grupi.

Pas grupit WNC, Gjikla ka vazhduar edhe solo-karrierën, me tekste që kundërshtonin fenomenet negative të shoqërisë. Kënga e tij “Juda”, godet amoralitetin në politikë, tjetërsimin e individit dhe humbjen e perspektivës dhe të shpresës.

E në dhjetë vjetët e fundit, Gjikla ishte COO (drejtor menaxhues) i Telegrafit.

Ai dha kontribut të madh në zhvillimin dhe rritjen e portalit, ndërsa ishte një nga shtyllat e risive teknologjike që Telegrafi çdo vjet ka sjell për lexuesit shqiptarë.

Gjikla ishte i afërt me të gjithë, nxiste debate, krijonte atmosferë të mirë pune dhe ishte motivues për të gjithë, gjë që reflektonte gjithnjë pozitivisht te stafi.

Mes shumë veprave e gjërave të bukura që la pas, Gjikla do të jetë i pranishëm në rrethin e të gjithë atyre që e njohën dhe punuan me të, me mirësitë, këshillat, kolegialitetin dhe mendësinë që kishte.

Trashëgimia e Arlind Gjikolli-Gjiklës do të qëndrojë gjatë për botën e artit dhe për të gjithë ata që punuan me të dhe e njohën.