Trump ndryshon qëndrim, i kërkon partisë së vet të votojë për hapjen e dosjeve të Epstein

Presidenti amerikan Donald Trump u ka bërë thirrje ligjvënësve republikanë që të votojnë për publikimin e dosjeve që lidhen me të ndjerin Jeffrey Epstein, i dënuar për abuzim seksual.

Trump shkroi të dielën se anëtarët e Partisë Republikane në Dhomën e Përfaqësuesve duhet të mbështesin këtë hap, “sepse nuk kemi asgjë për të fshehur”.

Ky qëndrim vjen pasi demokratët në Kongres kanë publikuar gradualisht dokumente të reja të lidhura me Epstein, disa prej të cilave përmendin edhe Trumpin.

Ish-presidenti ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në abuzimet apo trafikun seksual të Epstein-it.

Megjithatë, dokumentet që flasin për marrëdhëniet e dikurshme të Epstein-it me figura të njohura politike dhe biznesore kanë shtuar spekulimet dhe madje kanë shkaktuar përplasje publike mes Trumpit dhe disa mbështetësve të tij të afërt.

Tashmë dhjetëra republikanë kanë sinjalizuar se janë gati të votojnë në favor të një projektligji që do t’i detyronte institucionet federale të publikojnë të gjitha dokumentet që lidhen me Epstein-in dhe hetimet penale ndaj tij.

Sipas raportimeve, projektligji ka gjasa të miratohet këtë javë në Dhomën e Përfaqësuesve, por nuk dihet nëse do të ketë mbështetje të mjaftueshme edhe në Senat.

Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij në Nju Jork në vitin 2019, me koronerin që e cilësoi vdekjen si vetëvrasje. Ai po mbahej në paraburgim për akuza të trafikut seksual, pasi më herët – në vitin 2008 – ishte dënuar për shfrytëzimin e një të miture për prostitucion.

Dy hetimet penale ndaj Epstein-it kanë grumbulluar një sasi të madhe provash: intervista me viktima dhe dëshmitarë, si dhe materiale të sekuestruara nga bastisjet në pronat e tij. Pjesa e dokumenteve që ende nuk është bërë publike njihet gjerësisht si “dosjet Epstein”.

Në reagimin e tij, Trump përsëriti se vëmendja mbi këto dosje është një “mashtrim” i demokratëve për të larguar fokusin nga puna e republikanëve.

“Departamenti i Drejtësisë tashmë ka dorëzuar dhjetëra mijëra faqe për ‘Epstein-in’, dhe po shqyrton lidhjet e disa figurave demokrate (Bill Clinton, Reid Hoffman, Larry Summers, etj.) me të. Komiteti i Mbikëqyrjes mund të marrë çfarëdo që i takon ligjërisht. NUK MË INTERESON!”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.

Ai shtoi se republikanët duhet “të kthehen te temat e rëndësishme”.

Edhe Kryetari republikan i Dhomës, Mike Johnson, tha se demokratët po e përdorin çështjen për përfitime politike, duke theksuar se Trump “nuk ka frikë nga publikimi i dokumenteve”./BBC

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani dekoron Harry Bajraktarin me “Urdhrin e Lirisë”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar sot Harry Bajraktarin me “Urdhrin e Lirisë”, si vlerësim për kontributin e tij mbi tri dekada për...

Shqipëria hap kapitujt e fundit të negociatave për anëtarësim në...

Shqipëria ka hapur sot kapitujt e fundit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke përfshirë bujqësinë, sigurinë ushqimore, peshkimin, politikën rajonale dhe dispozitat...

Shqipëria hap grupkapitullin e fundit të negociatave në Bruksel

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot në Bruksel do të marr pjesë në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Evropian, gjatë së cilës do të...

Të fundit nga rubrika