Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka nënshkruar të mërkurën një ligj që urdhëron Departamentin e Drejtësisë të publikojë dokumentet e hetimeve ndaj të ndjerit Jeffrey Epstein, i dënuar për abuzim seksual.
Ligji kërkon që brenda 30 ditëve të publikohet gjithë informacioni nga hetimet ndaj Epstein, megjithëse disa dokumente mund të mbeten të mbyllura nëse lidhen me hetime aktive ose konsiderohen të cenojnë privatësinë personale.
Legjislacioni u miratua me mbështetjen e Trump-it në mënyrë të gjerë nga të dyja dhomat e Kongresit: Dhoma e Përfaqësuesve me 427 vota pro dhe vetëm 1 kundër, ndërsa Senati dha miratimin unanim.
Trump, i cili më parë ishte kundër publikimit të dokumenteve dhe i kishte quajtur ato një “truk” të demokratëve për të larguar vëmendjen nga puna e partisë së tij, ndryshoi qëndrim javën e kaluar pas kritikave nga viktimat e Epstein dhe anëtarë të Partisë Republikane. “Ndoshta e vërteta për këta demokratë dhe lidhjet e tyre me Jeffrey Epstein do të zbulohet së shpejti, sepse SAPO KAM NËNSHKRUAR LIGJIN PËR PUBLIKIMIN E DOKUMENTEVE TË EPSTEIN!” shkroi ai.
Dokumentet që do të publikohen përfshijnë materiale nga hetimet penale ndaj Epstein, si transkriptet e intervistave me viktimat dhe dëshmitarët, sende të sekuestruara nga bastisjet në pronat e tij, komunikime të brendshme të Departamentit të Drejtësisë, regjistra fluturimesh dhe lista të personave dhe entiteteve të lidhura me Epstein.
Këto dokumente janë të ndryshme nga më shumë se 20,000 faqe që u publikuan javën e kaluar nga pasuria e Epstein, ku përfshihen edhe mesazhe ku ai përmendte Trump-in. Mes tyre janë mesazhe të vitit 2018 ku Epstein shkruante se “mund ta rrëzoj atë” dhe “di sa i ndyrë është Donald”.
Trump ka qenë mik i Epstein për shumë vite, por thotë se u ndanë në fillim të viteve 2000, dy vite para arrestimit të parë të Epstein. Presidenti ka mohuar çdo lidhje të paligjshme me të. “Republikanët nuk kanë asgjë me Epstein. Është problem i demokratëve,” tha Trump.
Familja e Virginia Giuffre, e cila vdiq këtë vit nga vetëvrasja, e përshkroi nënshkrimin e ligjit nga Trump si “një hap monumental” për Giuffre dhe të mbijetuarit e tjerë. “Çdo emër duhet të zbulohet, pa marrë parasysh pushtetin, pasurinë apo përkatësinë partiake,” thanë Sky dhe Amanda Roberts, vëllezër dhe motër e bashkëshortja e viktimës.
Jeffrey Epstein u gjet i vdekur në 2019 në qelinë e tij në New York, në një ngjarje që u shpall vetëvrasje nga korneri. Ai ishte arrestuar për trafikim seksual dhe kishte qenë i dënuar më parë për përfshirje në prostitucion me të mitur.
Epstein kishte lidhje me figura të njohura si Andrew Mountbatten Windsor, vëllai i Mbretit Charles, Trump, këshilltarin e tij të mëparshëm Steve Bannon, si dhe me njerëz të tjerë nga media, politika dhe argëtimi.
Në një zhvillim të lidhur, presidenti i mëparshëm i Harvard-it, Larry Summers, mori leje nga mësimdhënia derisa universiteti heton lidhjet e tij me Epstein, të zbuluara në shkëmbime e-mailesh të ngrohta mes tyre./BBC