Një statujë e Kristofor Kolombi është vendosur në ambientet e Ndërtesës Ekzekutive Eisenhower, pranë Shtëpisë së Bardhë, në kuadër të përpjekjeve të administratës së Donald Trump për të rivlerësuar figurën e tij.
Statuja është një kopje e një monumenti që u rrëzua në portin e Baltimore-it në vitin 2020, gjatë protestave mbarëkombëtare kundër racizmit pas vdekjes së George Floyd.
Trump vazhdon të mbrojë interpretimin tradicional të Kolombit si udhëheqës i ekspeditës së vitit 1492, që konsiderohet fillimi i pranisë evropiane në Amerikë dhe i zhvillimeve të mëvonshme politike e ekonomike. Megjithatë, në vitet e fundit, figura e tij është vënë në pikëpyetje, duke u parë gjithashtu si simbol i kolonizimit dhe shfrytëzimit të popujve indigjenë.
Shtëpia e Bardhë theksoi se Kolombi konsiderohet hero dhe se administrata synon të ruajë këtë perceptim për brezat e ardhshëm. Ndërkohë, përfaqësues lokalë u shprehën të kënaqur që statuja është vendosur në një hapësirë të mbrojtur.
Vepra, e realizuar kryesisht në mermer nga skulptori Will Hemsley, zëvendëson simbolikisht statujën origjinale që u rrëzua më 4 korrik 2020 dhe u hodh në portin e Baltimore-it, në kulmin e protestave kundër racizmit dhe trashëgimisë koloniale.
Debati rreth Kolombit vazhdon në SHBA, ku në disa vende Dita e Kolombit është zëvendësuar me Ditën e Popujve Indigjenë. Ish-presidenti Joe Biden ishte i pari që e shënoi zyrtarisht këtë ditë në vitin 2021.
Trump, nga ana tjetër, kundërshton këtë qasje, duke akuzuar kritikët se po shtrembërojnë historinë dhe duke premtuar rikthimin e rëndësisë së Ditës së Kolombit.