Gjenerali Wesley Clark, ish-komandanti suprem i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, ka vazhduar dëshminë e tij në Hagë, ku po paraqitet si dëshmitari i fundit i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.
Clark ka hedhur dritë mbi qëndrimet dhe veprimet e UÇK-së, si dhe rrethanat që çuan në aktet e dhunës pas përfundimit të luftës.
I pyetur nga avokati i Thaçit nëse kishte informacione që UÇK-ja kishte synuar të shënjestronte pakicat, Clark deklaroi se nuk kishte parë asnjë dëshmi të tillë.
Ai theksoi se nga informacionet e tij, nuk kishte ekzistuar asnjë koordinim brenda UÇK-së për të targetuar serbët apo grupet e tjera etnike dhe se Hashim Thaçi nuk kishte as motiv dhe as interes të përfshihej në veprime të tilla.
Sipas Clark, UÇK-ja në deklarimet e saj publike kishte artikuluar dëshirën për një Kosovë multietnike, dhe ai besonte se kjo ishte një deklaratë e sinqertë.
Në vijim të dëshmisë së tij, Clark foli për periudhën e menjëhershme pas përfundimit të konfliktit, një kohë të mbushur me tension, pasiguri dhe zhgënjime të mëdha.
Ai tha se aktet e dhunës që ndodhën atëherë nuk mund të kuptohen pa marrë parasysh gjendjen e shqiptarëve të kthyer nga shpërngulja, të cilët kishin përjetuar dhunë, masakra dhe dëbime masive.