Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, në një intervistë në Debat Plus në RTV Dukagjini ka folur për rikandidimin e tij për të parin e kryeqytetit, duke theksuar se qyteti ka nevojë për energji të re dhe projekte që përmirësojnë jetën e qytetarëve.
Ai u shpreh se Prishtina nuk mund të ecë përpara pa një qasje të re:
“Prishtina ka nevojë për një ringjallje, për një angazhim më të madh, për intervenime e projekte që e bëjnë jetën e qytetarëve më të lehtë e më të mirë,” ka thënë Ismaili.
Duke folur për vizionin e tij, ai ka nënvizuar rëndësinë e një udhëheqjeje të hapur dhe të afërt me qytetarët:
“Ka nevojë për një qeveri e cila është bashkëpjesëmarrëse me qytetarët, që i pranon ankesat e tyre, këshillat e tyre, nevojat e tyre si platformë për vete. Pra, ka nevojë për një kryetar që është i qytetarëve, i njeh qytetarët, e njeh Prishtinën, i jeton për 10-15 vite e më shumë këto problemet e njëjta që i kemi,” ka theksuar ai.
Ismaili ka thënë se kandidimi i tij është i lidhur ngushtë me përvojën dhe angazhimin e tij të mëparshëm në institucione publike, por edhe me ndjenjën që ka për kryeqytetin.
“Kur t’i mbledhi të gjitha këto, shto këtu edhe përvojën time që kam pasur në të kaluarën në institucionet publike, mendoj që ka qenë e domosdoshme t’i futem garës. Nuk kam qytet tjetër, kam përvojën e duhur, ka kërkesa që të ketë një kandidaturë dhe ka pasur që të ketë një kandidaturë timen… është edhe në ndjenjën time që kam për Prishtinën dhe përvojën time që kam për Prishtinën,” ka deklaruar Ismaili.