Varhelyi kritikon Dodikun: Aleatët e BE-së nuk shkojnë në Rusi

Komisionari për Fqinjësi dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi

Komisionari për Fqinjësi dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, më 17 maj paralajmëroi Bosnje e Hercegovinën se aleatët e BE-së nuk vizitojnë Rusinë.

Këto deklarata ishin një tjetër shfaqje e zhgënjimit lidhur me vizitën që presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, zhvilloi vitin e kaluar në Rusi.

“Aleatët tanë nuk shkojnë në Rusi, ky është mesazhi im”, tha Varhelyi në pyetjen e gazetarëve lidhur me vizitën e Dodikut. “Kush dëshiron të jetë aleat i yni nuk shkon në Rusi”.

Bosnja që më 2016 kishte aplikuar për anëtarësim në BE, dhjetorin e vitit të kaluar mori statusin e shtetit kandidat, pas shqetësimeve se lufta në Ukrainë mund ta destabilizojë rajonin e Ballkanit. Megjithatë, shteti ka pranuar një listë të gjatë të kushteve që duhet të përmbushë, e të cilat synojnë të forcojnë demokracinë në këtë shtet ballkanik.

“Ne na duhet që Bosnje e Hercegovina të jetë aleate e jona”, tha Varhelyi gjatë konferencës për media në Sarajevë, pasi mori pjesë në një forum të nivelit të lartë politik, ku u diskutua për hapat që duhet të ndërmarrë Bosnja që t’i bashkohet BE-së.

Ai shtoi se është e rëndësishme që të dërgohet një mesazh i fuqishëm nga Bosnja që ky shtet të paraqesë një qëndrim të përbashkët.

Varhelyi lavdëroi përparimin e bërë “në një kohë rekorde” për formimin e Qeverisë dhe miratimin e buxheteve, pas zgjedhjeve të përgjithshme që u mbajtën tetorin e vitit të kaluar.

Ai po ashtu inkurajoi politikanët në Bosnje që të kryejnë reformat për të cilat janë pajtuar kur kanë marrë statusin e vendit kandidat.

Por, deklaratat nga Dodiku së bashku me udhëtimin e tij në Rusi, ku ai u takua edhe me presidentin rus, Vladimir Putin, vënë në pah mungesën e unitetit në politikën e jashtme të Bosnjës.

Dodik veçse është kritikuar nga blloku evropian, pasi në janar ai i ndau Putinit çmimin më të lartë që jep entiteti i Republikës Sërpska. Ky vendim nxiti reagime dhe paralajmërime se Bosnja duhet të jetë më e kujdesshme lidhur me sundimin e ligjit, teksa aspiron t’i bashkohet bllokut evropian.

Dodik ka kundërshtuar sanksionet e vendosura ndaj Moskës për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës dhe po ashtu kundërshton pranimin e pavarësisë së Kosovës.

Gjithashtu, ai ka tentuar që të ndajë ushtrinë, policinë dhe administratën tatimore të Republikës Sërpska nga Qeveria qendrore e Bosnjës, veprime që janë në kundërshtim me Marrëveshjen e Paqes së arritur në Dejton më 1995.

Rusia dhe Serbia kanë mbështetur në heshtje veprimet e Dodikut.

Forumi politik në Sarajevë që u mbajt më 17 maj, u kryesua nga Varhelyi dhe Borjana Kristo, kryetare e Këshillit të Ministrave të Bosnjës. Forumi u organizua nga Komisioni Evropian me synimin që të monitorojë zbatimin e rekomandimeve dhe raportimin e përparimit të Bosnjës në rrugën evropiane.

Shija e redaktorit

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Të fundit nga rubrika