Ekipet e shpëtimit në Filipinet qendrore po vazhdojnë garën me kohën për të gjetur dhjetëra persona ende të zhdukur, pas një rrëshqitjeje të dheut në Cebu gjatë javës, kanë bërë të ditur autoritetet lokale.
Kryebashkiaku i Cebu City, Nestor Archival, deklaroi të shtunën se në vendngjarje janë zbuluar shenja jete, dy ditë pas incidentit. Deri tani, katër persona janë konfirmuar të vdekur, ndërsa 12 të tjerë janë dërguar në spital për trajtim mjekësor, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Sipas Archival, kushtet për shërbimet emergjente janë shumë të vështira, për shkak të rrezikut nga rrënojat e paqëndrueshme dhe mungesës së pajisjeve të rënda, ndërsa ekipet po presin mbërritjen e mjeteve më të specializuara.
Landfilli privat Binaliw u shemb të enjten, në një kohë kur rreth 110 punëtorë ndodheshin në vend, thanë zyrtarët.
Në një postim në Facebook të shtunën në mëngjes, Archival shkroi se “autoritetet kanë konfirmuar praninë e shenjave të jetës në zona të caktuara, gjë që kërkon vazhdimin e gërmimeve të kujdesshme dhe përdorimin e një vinçi më të avancuar prej 50 tonësh”.
Kushtet në terren mbeten të rrezikshme, pasi masivi i mbetjeve dhe dheut është ende i paqëndrueshëm.
Familjarët e personave të zhdukur po presin me ankth çdo informacion për fatin e të afërmve të tyre. Më shumë se 30 persona, të gjithë punëtorë të landfillit, besohet se janë ende të zhdukur.
“Shpresojmë vetëm të gjejmë dikë gjallë… po garojmë kundër kohës, prandaj ekipet tona janë të angazhuara 24 orë në ditë, 7 ditë në javë”, tha për agjencinë AFP këshilltari i qytetit Cebu, Dave Tumulak, njëkohësisht kryetar i këshillit të emergjencave.
Shkaku i shembjes ende nuk është i qartë, por këshilltari tjetër i qytetit, Joel Garganera, ka deklaruar më herët se ajo ka shumë gjasa të jetë pasojë e praktikave të dobëta të menaxhimit të mbetjeve.
Sipas tij, operatorët kishin gërryer malin për të nxjerrë dheun dhe më pas kishin grumbulluar mbeturinat për të krijuar një tjetër mal mbetjesh, gjë që ka rritur rrezikun e shembjes.