Vazhdon dëshminë Sadik Halitjaha në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Ai ka shprehur dyshime në lidhje me ekzistencën e një drejtorie të zbulim-kundërzbulimit në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 14 mars 1999. Halitjaha ka thënë se Kadri Veseli ishte i angazhuar në drejtorinë e përmendur, por pa staf dhe pa plotësim të ekipit. Ai gjithashtu ka pohuar se Adem Demaçi ka drejtuar Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në aspektin politik

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhsK) në Hagë po e vazhdon dëshminë dëshmitari i 36-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Sadik Halitjaha (me kodin 04765), në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Për këtë dëshmitar ka filluar që t’i parashtrojë pyetjet trupi gjykues përmes gjyqtarit Christoph Barthe, i cili u fokusua te deklaratat për Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK).

Halitjaha tha se nuk është i sigurt nëse ka pasur një shërbim të tillë apo një Drejtori të tillë në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 14 mars 1999.

“Nuk jam i sigurt që ka pasur drejtori të zbulim-kundërzbulimit më 14.3.1999”, tha dëshmitari Halitjaha.

Ndërsa për më vonë, Halitjaha tha se i akuzuari Kadri Veseli ka qenë i angazhuar në atë Drejtori, mirëpo nuk ka qenë me staf dhe as e kompletuar.

“Z.Veseli ka qenë i angazhuar për atë Drejtori, por nuk ka pasur staf, nuk ka pasur kompletim të Drejtorisë”, tha Halitjaha.

“Adem Demaçi ka qenë përfaqësues politik dhe zyra e tij me stafin e tij ka qenë kompetent për politikat e luftës”, tha ai.

I pyetur se Adem Demaçi a ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmitari tha ai e ka drejtuar atë.

“Unë mendoj që ai e ka drejtuar Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, politik, kështu mendoj dhe kështu edhe atëherë kam menduar”, tha dëshmitari.

Ai foli edhe për komandant Drinin dhe personin me emrin Halil Çadrakut. Për “Drinin” dëshmitari tha se gjatë vitit 1999 e ka kaluar kufirin Kosovë-Shqipëri më shumë se 30 herë.

Përfaqësuesit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar thanë se nuk kanë pyetje për këtë dëshmitar.

Para fillimit të dëshmisë së këtij dëshmitari, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, njoftoi se seanca e 17 shkurtit 2024 nuk do të mbahet me arsyen se është Dita e Pavarësisë së Kosovës.

Dëshmia e këtij dëshmitari ka filluar më 13 nëntor dhe ka vazhduar edhe më 15 nëntor. Gjatë këtyre dy ditëve të dëshmive, dëshmitari Halitjaha ka folur për vartës të ndryshëm të UÇK-së dhe për krimet e pretenduara.

Gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) më 15 nëntor 2023, dëshmitari Sadik Halitjaha tha se me porosinë e Kadri Veselit, avokati Ben Emmerson e ka quajtur të shantazhuar.

Halitjaha tha se në këtë seancë gjyqësore, pa praninë e tij, është thënë se ky dëshmitar është pa relevancë.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022, ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./ BetimipërDrejtësi

Shija e redaktorit

“Ishim të gatshëm ta japim jetën për ta mbrojtur Kosovën”,...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është duke qëndruar për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) me ç'rast ka vizituar ushtarët amerikanë të...

Konkursi për gradimin e policëve – “Të fortët” e Policisë...

Konkursi për gradim të policëve nga “Polic i lartë” në “Rreshter” u mbajt më 4 maj, dhe siç nënkuptohet edhe atë ditë do të...

Trepça triumfon në finalen e parë me rikthim ndaj Yllit

Finalja e parë e “Play-off”-it i ka takuar Trepçës. Mitrovicasit edhe pse ishin duke humbur me 13 pikë dallim, të përkrahur nga tifozët kanë...

Të fundit nga rubrika