Vazhdon trendi i kërkesës së shtetasve kosovarë për azil në BE, mbi 1400 aplikime

Brenda pesëmujorit të parë të 2023-tës, mbi 1400 kërkesa për azil dorëzohen nga shtetasit kosovarë në vendet e BE-së. Ikja e të rinjve nga vendi po konsiderohet shqetësuese nga përfaqësues të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe sociologë

Mbi 1420 shtetas kosovarë kanë dorëzuar kërkesën për azil në vendet e Bashkimit Evropian përgjatë pesëmujorit të parë të vitit 2023.

Kështu ka bërë të ditur Agjencia e BE-së për Azil, për Portalin Dukagjini, ku përmes një përgjigjeje me shkrim ka treguar statistika të hollësishme.

“Në periudhën janar – maj 2023, mund të raportojmë se të paktën 1 420 kërkesa për azil janë paraqitur nga shtetas të Kosovës. Kjo bazohet në përzierjen e të dhënave të verifikuara, të cilat përfshijnë ndarjet sipas moshës dhe të dhëna të përkohshme dhe të pavlefshme të dërguara në EUAA (periudha mars – maj)”, ka thënë Andrew McKinlay – zyrtar për komunikim dhe media.

Vetëm përgjatë muajit janar janë dorëzuar 325 aplikime.

Më pas në muajin shkurt janë dorëzuar 305 aplikime, duke vijuar me muajin mars me 289 të tilla, kurse në muajin prill 249 dhe në muajin maj 255.

Në total numërohen gjithsej 1423 aplikime.

Sipas McKinlay, bazuar në të dhënat e kufizuara në dispozicion, 1 në 6 aplikime kanë rezultuar me status refugjati në Belgjikë, ndërsa në Francë dhe Itali, 1 në 12 aplikime rezultonin në një formë mbrojtjeje: ose status refugjati ose mbrojtje shtesë.

Lidhur me refuzimin dhe pranimin e kërkesave, McKinlay ka bërë të ditur se përgjatë tremujorit të parë të vitit 2023, 20 shtetas kosovarë morën vendim pozitiv për statusin e Konventës së Gjenevës, gjegjësisht të qenët refugjat në vendet e BE+.

Pesë nga to janë në Belgjikë dhe 15 të tjera në Francë.

Kjo për sa u përket vendimeve të shkallës së parë për aplikimet e shtetasve të Kosovës të marra në tremujorin e parë të vitit 2023.

Kur një individi i jepet statusi i refugjatit nga Konventa e Gjenevës, ai ka të drejtë për disa të drejta dhe mbrojtje sipas ligjit ndërkombëtar.

Ndërsa, këtij zyrtari “20 shtetas morën mbrojtje plotësuese”.

Mbrojtja plotësuese është një formë e mbrojtjes ndërkombëtare që u jepet individëve që nuk kualifikohen si refugjatë sipas Konventës së Gjenevës, por ende kërkojnë mbrojtje për shkak të rrezikut të dëmtimit serioz në vendin e tyre.

Ai shpesh u jepet individëve që nuk plotësojnë kriteret specifike të persekutimit të përshkruara në Konventën e Refugjatëve, por janë në rrezik të formave të tjera të dëmtimit, si tortura, trajtimi çnjerëzor ose poshtërues, ose dhuna pa dallim në vendin e tyre.

Këto dy forma të mbrojtjes janë të “rregulluara” në nivel të BE-së.

Ndërkaq, në të dhënat më të specifikuara, vetëm gjatë muajit janar 325 shtetas kosovarë kanë dorëzuar kërkesën e tyre për azil në vendet e BE-së, 100 prej tyre janë nën moshën 18 vjeç.

Nga ky numër i përgjithshëm (325), 200 nga ta janë të gjinisë mashkullore (45 nën moshën 18-vjeç), dhe 125 të gjinisë femërore (55 nga to nën moshën 18-vjeç).

Kurse, në muajin shkurt të këtij viti kanë aplikuar 305, ku 105 prej tyre janë të moshës nën 18 vjeç.

Nga ky numër (305), 205 prej tyre janë të gjinisë mashkullore (60 nën moshën 18-vjeç), dhe 100 të tjerë janë të gjinisë femërore (45 nën moshën 18-vjeç).

Ndryshe, Bashkimi Evropian në tremujorin e parë të vitit 2022 ka pranuar 650 kërkesa për azil nga shtetasit kosovarë.

“Në tremujorin e parë të vitit 2022, vendet e BE+ kanë pranuar 650 aplikime nga shtetas kosovarë. Në vitin 2021, shifra për vitin ishte 2,395”, ka thënë Andreë McKinlay – zyrtar për komunikim dhe media.

Sa i përket grupmoshës, bazuar në numrin e përgjithshëm të kërkesave (650), rreth ¼ e aplikantëve kanë qenë të mitur, kurse pjesa tjetër e tyre ishin të rritur.

“Në tremujorin e parë të vitit 2022, 165 ishin të mitur dhe 490 ishin të rritur”, shtoi McKinlay për Portalin Dukagjini.

Ndërsa, në vitin 2021, sipas zyrtarit të BE-së, mbi dy mijë persona kishin kërkuar azil në vendet e BE-së.

Belgjika, Franca, Gjermania dhe Italia janë shtetet anëtare të BE-së që kanë regjistruar numrin më të madh të aplikantëve sipas shtetasve të Kosovës në vitin 2021 dhe 2022.

Pse po ikin kosovarët?

Përfaqësues të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ikjen e qytetarëve të Kosovës për në vendet e ndryshme të botës e konsiderojnë mjaft shqetësuese.

Behxhet Shala – drejtor ekzekutiv në Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë (KMLDNJ), në një prononcim për Portalin Dukagjini, ka thënë se pasiguria ekonomike, politike dhe mosliberalizimi i vizave janë faktorët kryesorë që po ndikojnë në motivimin e qytetarëve për të migruar.

“Në radhë të parë është pasiguria ekonomike, shkaku se papunësia në vend po rritet, qytetarët për të gjetur një vend pune, po detyrohen të kërkojnë zgjidhje në një shtet tjetër, kryesisht ne vendet e Evropës apo në SHBA. Dështimet politike po shkaktojnë pasiguri politike. Pastaj është edhe mosliberalizimi i vizave”, ka thënë Shala.

Sipas tij, Kosova është një vend që nuk po ofron kushte elementare për qytetarët e saj dhe perspektivë për të rinjtë.

Siç thekson Shala, nëse nuk ndalet ky trend i ikjes, struktura e popullsisë “do të pësojë ndryshime të mëdha”.

“Kosova do të mbesë në duart e të moshuarve”

Në anën tjetër, sociologu Jeton Brajshori, në një prononcim për Portalin Dukagjinika thënë se faktorët kryesorë që ndikojnë në migrim janë ata tërheqës dhe shtytës.

“Faktorët tërheqës janë ata për shembull në shtetet perëndimore, ne gjithmonë lakmojmë të kemi një jetë të mirë, një pagë më të mirë, sigurim shëndetësor, dhe shkollim më të mirë për fëmijët tanë, kjo është një nga arsyet kryesore pse ne na shtynë të migrojmë”, ka thënë ai.

Pjesa tjetër, sipas Brajshorit, ka të bëjë me faktorët të cilët shtynë qytetarët të ikin nga vendi për shkak të luftës, katastrofave natyrore, armiqësive e të tjera, gjë që për Kosovën “momentalisht nuk vlen”.

Ai e ka konsideruar shqetësues trendin e ikjes së qytetarëve nga vendi.

“Normalisht është shqetësuese, një shtet pa popullatë atëherë thjesht edhe zbeh edhe shtetin në tërësi, për arsye se në momentin që mbesin pa rininë tonë, normalisht që kjo do të bëhet shqetësuese si për qeveritë e kaluara edhe për atë të tashmen, e cila nuk shihet se po lëviz diçka më mirë se të tjerat”.

Ndryshe, vendimi për liberalizimin e vizave pritet të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024 – prej kur qytetarët e Kosovës që posedojnë pasaporta biometrike të lëshuara nga shteti i Kosovës, do të mund të udhëtojnë pa viza në atë që njihet si zona Schengen dhe përbëhet prej 27 shtetesh evropiane.

Vendimi i botuar në Gazetën Zyrtare të BE-së është ai që është nënshkruar më 19 prill nga përfaqësuesit e Parlamentit Evropian dhe ata të Këshillit të BE-së.

Në vendim shkruan se “përjashtimi nga nevoja për viza”, pra liberalizimi, nuk mund të zbatohet para nisjes operacionale të sistemit të udhëtimit në Evropë – ETIAS, apo deri më 1 janar, 2024.

Kjo do të thotë se, nëse funksionalizimi i ETIAS-it shtyhet përtej 1 janarit 2024 – gjë që edhe pritet të ndodhë – hyrja në fuqi e liberalizimit nuk do të shtyhet përtej asaj date.

Libralizimi i vizave mundëson udhëtime pa viza vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune ose përfitime të tjera.

Sa është numri i azilkërkuesve në BE nga kosovarët?

Shija e redaktorit

Kamberi: Pas Malit të Zi edhe Maqedonia e Veriut po...

Analisti politik, Belgzim Kamberi, ka thënë se fitorja bindëse e VMRO-DPMNE-së, nuk është lajm i mirë për Ballkanin Perëndimor dhe as për Bashkimin Evropian...

Mbretërit kalojnë në finale të Ligës së Kampionëve

Mbretërit tashmë kanë kaluar në finale të Ligës së Kampionëve pas një fitore të zjarrtë ndaj Bayernit. Skuadra spanjolle, Real Madrid triumfoi me rezultatin 2-1,...

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Të fundit nga rubrika