Sa është numri i azilkërkuesve në BE nga kosovarët?

Agjencia e BE-së për Azil ka dhënë shifra për tremujorin e parë të vitit 2021 lidhur me pranimin e aplikimeve të BE+ nga shtetasit kosovarë. Ikja e të rinjve nga vendi po konsiderohet shqetësuese nga përfaqësues të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe sociologë

Ikja e qytetarëve nga Kosova

Bashkimi Evropian në tremujorin e parë të vitit 2022 ka pranuar 650 kërkesa për azil nga shtetasit kosovarë.

Kështu ka bërë të ditur Agjencia e BE-së për Azil, për Portali Dukagjini, ku përmes një përgjigje me shkrim ka treguar statistika të hollësishme.

“Në tremujorin e parë të vitit 2022, vendet e BE+ kanë pranuar 650 aplikime nga shtetas kosovarë. Në vitin 2021, shifra për vitin ishte 2,395”, ka thënë Andrew McKinlay – zyrtar për komunikim dhe media.

Sa i përket grupmoshës, bazuar në numrin e përgjithshëm të kërkesave (650), rreth ¼ e aplikantëve kanë qenë të mitur kurse pjesa tjetër e tyre ishin të rritur.

“Në tremujorin e parë të vitit 2022, 165 ishin të mitur dhe 490 ishin të rritur”, shtoi McKinlay për Portali Dukagjini.

Ndërsa, në vitin 2021, sipas zyrtarit të BE-së, mbi dy mijë persona kishin kërkuar azil në vendet e BE-së.

“765 persona që kishin kërkuar azil ishin të mitur kurse një mijë e 640 të rritur”, tregoi ai.

Në anën tjetër, ai ka treguar edhe numrin e kandidatëve burra dhe gra, për vitin 2021 dhe fillimin e vitit 2022.

Rreth 64 për qind e aplikuesve për tremujorin e parë të vitit 2022 ishin burra, kurse rreth 35 për qind prej tyre ishin gra.

“Për sa i përket gjinisë së aplikantëve, në tremujorin e parë të vitit 2022, 420 ishin meshkuj dhe 230 femra”, ka bërë të ditur ai.

Ndërkaq, gjatë vitit 2021, “një mijë e 570 ishin meshkuj dhe 810 femra”.

Vendet e BE-së të cilat kanë pranuar më së shumti aplikime nga shtetasit kosovarë konsiderohen të jenë Franca, Gjermania dhe Italia.

“Në tremujorin e parë të 2022, Franca, Italia dhe Gjermania ishin 3 vendet kryesore që regjistronin aplikimet e tyre”.

Këto destinacione ishin kyçe edhe përgjatë vitit 2021.

“Në vitin 2021, Franca, Gjermania dhe Italia ishin 3 vendet kryesore që regjistronin aplikimet e tyre”.

Lidhur me refuzimin dhe pranimin e kërkesave, McKinlay, ka bërë të ditur se në vitin 2021, 90 shtetas kosovarë morën vendim pozitiv për statusin e Konventës së Gjenevës, gjegjësisht të qenët refugjat në vendet e BE+.

Ndërsa, sipas tij, “80 shtetas morën mbrojtje plotësuese”.

Këto dy forma të mbrojtjes janë të “rregulluara” në nivel të BE-së.

Megjithatë, ai ka treguar se 120 shtetas kosovarë morën një formë të mbrojtjes humanitare nga vendet e BE+.

Por, sipas tij kjo “nuk rregullohet” sipas direktivës së kualifikimit dhe për këtë arsye “nuk konsiderohet një shifër ‘BE+’”.

Në ndërkohë, janë mbi një mijë aplikime të cilat janë refuzuar gjatë vitit 2021 për shtetasit kosovarë.

“Një mijë e 950 aplikime u refuzuan nga autoritetet kombëtare të vendeve të BE+ në vitin 2021”.

“Në tremujorin e parë të 2022, ato shifra ishin përkatësisht 75, 60, 80 dhe një mijë e 470”.

Vendet e BE+ (27 shtete anëtare të BE-së, Lihtenshtajni, Islanda, Norvegjia dhe Zvicra) morën 208 mijë aplikime të kombinuara në tremujorin e parë të 2022.

Kurse, të dhënat e tremujorit  të dytë nuk janë ende të plota për të gjitha shtetet anëtare.

Sirianët dhe afganët përbëjnë grupet më të mëdha të aplikantëve.

“Në vitin 2021, shtetasit sirianë ishin grupi kryesor i aplikantëve me 117 mijë aplikime, të ndjekur nga shtetasit afganë me 102 mijë aplikime”.

Këto vende sipas zyrtarit të BE-së, u pasuan nga shtetasit e Irakut me 30 mijë aplikime, Pakistanit me 25 mijë, Turqisë 25 mijë, dhe Bangladeshit 20 mijë.

Statistikat e Agjencisë së BE-së për azil.

Pse po ikin kosovarët?

Përfaqësues të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ikjen e qytetarëve të Kosovës për në vendet e ndryshme të botës e konsiderojnë mjaft shqetësuese.

Behxhet Shala – drejtor ekzekutiv në Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë (KMLDNJ), në një prononcim për Portali Dukagjini, ka thënë se pasiguria ekonomike, politike dhe mosliberalizimi i vizave janë faktorët kryesorë që po ndikojnë në motivimin e qytetarëve për të migruar.

“Në radhë të parë është pasiguria ekonomike, shkaku se papunësia në vend po rritet, qytetarët për të gjetur një vend pune, po detyrohen të kërkojnë zgjidhje në një shtet tjetër kryesisht ne vendet e Evropës apo në SHBA. Dështimet politike po shkaktojnë pasiguri politike. Pastaj është edhe mosliberalizimi i vizave”, ka thënë Shala.

Behxhet Shala – drejtor ekzekutiv në Këshillin për Mbrojtjen Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë (KMLDNJ)

Sipas tij, Kosova është një vend që nuk po ofron kushte elementare për qytetarët e saj dhe perspektivë  për të rinjtë.

“Ata të cilët kanë premtuar që më nuk do të ketë ikje, që do të kenë të gjitha mundësitë që të veprojnë këtu, madje edhe ata të cilët jetojnë jashtë nëse duan të kthehen në Kosovë dhe të punojnë edhe të investojnë në njëfarë mënyre ka dështuar krejtësisht”, shtoi Shala.

“Fakti që qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që t’ua lehtësojë punën bizneseve, të rritë rrogat jo vetëm minimalet por edhe të tjerat, t’i rritë pensionet, në njërën anë me taksat e reja vetëm se po e rëndon buxhetin e Kosovës dhe në anën tjetër e ka mbyllur çdo perspektivë, sepse nuk garanton asnjë investim nga jashtë sepse askush nuk investon në një vend ku ka paqartësi dhe ku shteti nuk garanton”.

Siç thekson Shala, nëse nuk ndalet ky trend i ikjes, struktura e popullsisë “do të pësojë ndryshime të mëdha”.

“Kosova do të mbesë në duart e të moshuarve”

Në anën tjetër, sociologu Jeton Brajshori, në një prononcim për Portali Dukagjini, ka thënë se faktorët kryesorë që ndikojnë në migrim janë ata tërheqës dhe shtytës.

“Faktorët tërheqës janë ata për shembull në shtetet perëndimore ne gjithmonë lakmojmë të kemi një jetë të mirë, një pagë më të mirë, sigurim shëndetësor, dhe shkollim më të mirë për fëmijët tanë, kjo është një nga arsyet kryesore pse ne na shtynë të migrojmë”, ka thënë ai.

Pjesa tjetër sipas Brajshorit, ka të bëjë me faktorët të cilët shtynë qytetarët të ikin nga vendi për shkak të luftës, katastrofave natyrore, armiqësive e të tjera, gjë që për Kosovën “momentalisht nuk vlen”.

Ai e ka konsideruar shqetësuese trendin e ikjes së qytetarëve nga vendi.

“Normalisht është shqetësuese, një shtet pa popullatë atëherë thjesht edhe zbeh edhe shtetin në tërësi, për arsye se në momentin që mbesin pa rininë tonë normalisht që kjo do të bëhet shqetësuese si për qeveritë e kaluara edhe për atë të tashmen, e cila nuk shihet se po lëviz diçka më mirë se të tjerat”.

Jeton Brajshori, Ligjërues i sociologjisë në Kolegjin AAB

Sipas Brajshorit, nëse Kosova vazhdon me një trend të tillë, atëherë vendi do të mbetet në duart e pleqve.

“Nëse Kosova vazhdon me një trend të tillë, atëherë e keni parë që bashkatdhetarët tonë që jetojnë jashtë vendit janë të interesuar që kur të pensionohen të kthehen në Kosovë atëherë fatkeqësisht Kosova do të mbetet një vend në duart e personave të moshuar”.

Ndryshe, në Ballkanin Perëndimor i vetmi vend që nuk e gëzon lëvizjen e lirë është Kosova, edhe pse i ka plotësuar të gjitha kriteret nga, gjithsejtë, 95 sa i kishte vendosur BE-ja në udhërrëfyesin për liberalizim.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika