Vdekja e mistershme e 23-vjeçares ukrainase në autostradën “Arber Xhaferi”, nëna e saj ka një kërkesë për shtetin e Kosovës

Nëna e viktimës, Natasha Kozij, ka dërguar një letër në redaksinë e Telegrafit, në të cilën shpreh brengën e saj për mëyrën se si ka vdekur e bija

Mbrëmjen e 21 shkurtit, Policia e Kosovës, gjatë patrullimit në autostradën “Arber Xhaferi”, kishte vërejtur një person të shtrirë në rrugë (shiritin emergjent), më pas ishte njoftuar emergjenca – pas verifikimit mjeku kujdestar kishte konfirmuar se personi femër, shtetase e huaj, është pa shenja jete.

Në vendin e ngjarjes ishte thirrur edhe njësiti relevant për trajtimin e rastit, përfshirë edhe prokurorin kompetent, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet për obduksion në Institutin Mjeko –Ligjor në Prishtinë.

Viktima ishte identifikuar si shtetase ukrainase 23-vjeçare, me emrin Olena Kozij, vdekja e së cilës ende nuk ka marrë epilog.

E për këtë është e shqetësuar nëna e viktimës, Natasha Kozij. Ajo ka dërguar një letër në redaksinë e Telegrafit, në të cilën, shpreh brengën e saj për mënyrën se si ka vdekur e bija.

Natasha thotë se ka kontaktuar me institucionet relevante të drejtësisë në Kosovë, për të zbardhur të vërtetën për vajzën e saj.

Ajo tregon se rreth orës 18:15, e bija kishte ndaluar në një pikë karburanti dhe kishte biseduar në telefon me të bijën.

“Në dritën e rrethanave të vdekjes së parakohshme të vajzës sime, iu kam drejtuar prokurorisë dhe kam kërkuar me ngulm verifikimin dhe shqyrtimin e pamjeve të vëzhgimit si nga rezidenca e Olenës, ashtu edhe nga pika e karburantit që ajo vizitoi më 21 shkurt 2024 në orën 18:15, jam përballur me shpërfillje”, shprehet nëna e Olenës.

Sipas nënës së viktimës, Olena posedonte dy telefona; megjithatë, vetëm një është gjetur në vendin e ngjarjes nga njësitet policore.

“Telefoni me të cilin kam komunikuar me të është zhdukur në mënyrë misterioze. Kjo ngre dyshime se provat jetike që kanë të bëjnë me kontaktet e saj të fundit mund të jenë fshehur qëllimisht”, shprehet më tutje.

Natasha thekson se më 20 dhe 21 shkurt, Olena ishte në shoqërinë e një personi, identiteti i të cilit thotë se mbetet i panjohur për të.

Ndërkaq, herën e fundit që kishte folur, pak orë para se të gjendej e vdekur, Natasha thotë se e bija e saj ishte në humor të mirë, e qeshur.

Madje shton se i kishte thënë se posa të arrijë në vendbanimin ku jetonte, do të t’i telefononte.

“Herën e fundit që fola me Olenën më 21 shkurt në orën 18:15, ajo ishte në humor të mirë dhe më siguroi për mirëqenien e saj. Ne u dakorduam që ajo të më kontaktonte kur të kthehej në shtëpi. Megjithatë, duket se ky individ e ka braktisur atë në vendin e krimit dhe është arratisur me telefonin e saj, me sa duket për të fshehur provat inkriminuese të lidhjes së tyre”, thuhet në letrën e Natashës.

Pas gjithë këtyre informacioneve, nëna e viktimë pretendon se prokuroria po e neglizhon rastin dhe nuk po merr parasysh asgjë nga kërkesa e saj.

“Me gjithë apelimet e mia të vazhdueshme, prokuroria ka dështuar të marrë masa vendimtare. Unë dua që të gjendet autori dhe të sillet para drejtësisë”, thuhet në letrën e nënës së viktimës./Telegrafi/

Shija e redaktorit

Spanja kampione e Evropës për herë të katërt

Ka mbaruar super ndeshja mes Spanjës dhe Anglisë në kuadër të finales së Kampionatit Evropian 2024. Pas një loje fantastike, Spanja ka përmbyllur ndeshjen me...

Spanja në finale, mposht Francën

Kombëtarja e Spanjës ka arritur kualifikimin në finale të Euro 2024, pasi mposhti me rezultat 2:1 kombëtaren e Francës në gjysmëfinale. Në pjesën e dytë...

Ballkani triumfon në ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e...

Ballkani ka fituar 2-1 ndaj Santa Coloman në 1/8 e fazës kualifikuese në Ligën e Kampionëve. Ndeshja nisi me një ritëm të qetë, por që...

Të fundit nga rubrika