Vendosja e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën, dëshmi se Serbia dëshiron tensione

Vendosja e trupave ushtarake nga Serbia pranë kufirit me Kosovën, nxiti reagime të shumta si nga komuniteti ndërkombëtar, ashtu edhe ai vendor. Nga analistët politikë kjo po shihet si tentim frikësimi ndaj qytetarëve të Kosovës

Tanket serbe, ilustrim

Tashmë është bërë e natyrshme qasja kërcënuese e Serbisë ndaj shtetit të Kosovës. Me pretekstet më të vogla e ndonjëherë edhe pa to fare, Serbia herë pas here e shton prezencën e ushtrisë së saj afër kufirit me Kosovën.

Sidomos pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, zërat për një intervenim ushtarak të Serbisë në Kosovë janë rritur.

Por, sipas njohësve të çështjeve politike, këto manovra të Serbisë bëhen vetëm për t’i frikësuar qytetarët e Kosovës dhe për ta provokuar situatën e sigurisë në vend.

Analisti politik, Shemsi Jashari, në një përgjigje për Portalin Dukagjini ka thënë se historikisht që nga paslufta, dislokimin e trupave serbe afër kufirit me Kosovën liderët serbë e kanë përdorur për të krijuar frikë te shqiptarët.

Sipas tij, kjo është bërë edhe për interesa politike të  brendshme në Serbi, duke gënjyer se ata një ditë do të kthehen e nuk kanë hequr dorë nga Kosova.

“Rasti i tanishëm ishte ndryshe, ngase kishte një strategji, kishte një plan të detajuar dhe kishte veprime konkrete ushtarake të kamufluara nga grupe terroristësh, për të krijuar një  situatë të re në terren, duke krijuar zona të kontrolluara nga paramilitarët serbë, të fshehur kinse si qytetarë serbë të veriut”, ka thënë Jashari.

Jashari ka thënë se veprimet e Policisë së Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me ShBA-në dhe NATO-n kanë bërë që veprimet e grupeve terroriste të dështojnë dhe të dalin sheshit të gjitha.

“Prandaj, thirrjet e SHBA-së për tërheqjen e trupave serbe paralelisht duke shtuar forcat e KFOR-it në Kosovë, do ta detyrojnë Serbinë që të tërheqë forcat dhe të mos bëjë veprime që do ta fuste në konflikt me NATO-n”, ka thënë ai.

Shemsi Jashari, analist politik

Jashari ka thënë tutje se thirrjet ndaj komunitetit ndërkombëtar për të ndërhyrë me presion ndaj Serbisë kanë qenë të arsyeshme dhe të domosdoshme.

Jashari ka shtuar se qasja e Serbisë ndaj Kosovës është shumë armiqësore.

Ai ka theksuar se Serbia ende ka qëllime territoriale në Kosovë. Këto pretendime, sipas tij, dëshiron t’i jetësojë “me krijesa artificiale siç është Asociacioni me kompetenca ekzekutive”.

Sipas tij, ai lloj Asociacioni do ta paralizonte funksionalitetin e shtetit dhe do të krijonte mundësi që në të ardhmen të kërkojë edhe pavarësi.

Ndërsa, për veprimet e institucioneve shtetërore të Kosovës karshi sulmit terrorist në Banjskë, Jashari ka theksuar se ato kanë qenë në nivel të detyrës, duke shtuar se ka pasur një koordinim të mirë me ndërkombëtarët.

“Kësaj here kishte bashkëpunim dhe suksesi u arrit”, është shprehur ai.

Jashari ka potencuar se në këtë situatë krerët e shtetit të Kosovës duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mos bëjnë asnjë veprim pa koordinim me ShBA-të, sepse, sipas tij, mungesa e koordinimit “na ka kushtuar mjaft deri më tani”.

Edhe analisti Visar Xani, në një përgjigje për Portalin Dukagjini, ka thënë se Serbia është duke provuar ta provokojë situatën dhe ta matë edhe faktorin ndërkombëtar, se sa është gati të ndërhyjë në Kosovë dhe sa ka qasje serioze karshi provokimit të një konflikti të mundshëm në Kosovë.

“Duket që faktori ndërkombëtar e ka pasë saktë realitetin dhe tendencën e Serbisë për të provokuar dhe përgjigjja ishte unike, e qartë se përgjegjëse ishte Serbia dhe duhet të ndërmarrë masa të cilat kontribuojnë në stabilitetin e vendit”, ka thënë Xani.

Xani ka konsideruar se thirrjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishin të qarta dhe konkrete.

“Edhe presidentja Osmani në të njëjtën kohë edhe të gjithë faktorët politikë në vend ishin të qartë dhe kishin veprime konkrete në këtë proces”, ka thënë tutje Xani.

Visar Xani, analist politik

Ai ka shtuar se Serbia është e njëjta sikur ajo e para vitit 1999, por, sipas tij, tani i mungon guximi për të vepruar.

“Ato grupe terroriste janë të koordinuara politikisht me qëllime politike dhe kryekontrolli i këtyre grupeve është presidenti Vuçiq”, ka shtuar ai, duke theksuar se përgjigjja e Kosovës në këtë rast ishte jashtëzakonisht e matur dhe ishte një përgjigje që i takon një shteti të konsoliduar.

“Patjetër që duhet të ketë edhe veprime diplomatike, sepse veprimet që i ka bërë Serbia terroriste duhet t’i përdorim për përfitime diplomatike, për të treguar që Serbia nuk është ajo e tavolinave, por është ajo e luftës dhe e konfliktit”, ka shtuar tutje ai.

Xani ka kërkuar unifikim të spektrit politik në Kosovë, të cilët sipas tij duhet të flasin me një zë.

“Me këtë gjuhë duhet të vazhdojë Kosova, liderët institucionalë, qofshin pozitë apo opozitë, të jenë të unifikuar dhe të denoncojnë në njëfarë mënyre fytyrën kriminele të Serbisë në këtë proces”, ka përfunduar ai.

Ndërsa, profesori universitar, Faton Ismajli, në një përgjigje për Portalin Dukagjini ka thënë se vendosja e trupave ushtarake bëhet për efekt të brendshëm elektoral në Serbi, dhe se presidentit Vuçiq i ka mbetur vetëm kjo rrugë për t’i treguar popullit serb “se gjoja po bën diçka për serbët që jetojnë në Kosovë”.

Ismajli ka thënë se aksioni terrorist në veri i ka dështuar Serbisë. Sipas tij, është dekonstruktuar roli dhe organizimi i shtetit serb në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë dhe tash presidenti Vuçiq bën “manovra të tilla për t’u dukur patriot”.

Profesori universitar ka thënë tutje se kreu i Serbisë, Vuçiq, do ta dëgjojë ShBA-në, sepse sipas tij, ai e ka kuptuar se krahas veprimeve që bën për luftën e brendshme politike i duhen edhe aleancat me ndërkombëtarë për t’i çuar përpara agjendat e tij.

Ismajli ka shtuar se shteti i Kosovës ka treguar pjekuri, maturi dhe profesionalizëm në gjithë menaxhimin e sulmit terrorist që ka ndodhur më 24 shtator në Banjskë.

Profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Faton Ismajli

“Përpos thirrjeve, presidentja dhe gjithë struktura udhëheqëse e shtetit duhen të ndërmarrin veprime agresive diplomatike te vendet e BE-së dhe vendet e tjera në botë, për t’u kuptuar qartë dhe saktë roli i Serbisë në aksionin terrorist në Banjskë. Duhen veprime të njëpasnjëshme diplomatike përmes ambasadave, përmes partnerëve për t’i treguar botës se një shteti huaj ka bërë agresion ndaj Republikës së Kosovës, ka shkelur të gjitha marrëveshjet dhe ka tentuar të shkaktojë luftë në një pjesë të Kosovës”, ka shtuar Ismajli.

Ismajli ka shtuar tutje se qasja e ndërkombëtarëve ndaj Kosovës tashmë ka ndryshuar dhe po ndryshon për çdo ditë për të mirë.

“Në rastin e sulmit terrorist në Banjskë ka pasur një reagim korrekt dhe të saktë në dënimin dhe cilësimin e sulmit si terrorist, duke kërkuar që të nxirren para drejtësisë përgjegjësit”, ka theksuar profesori universitar.

Ismajli ka theksuar se ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka qenë edhe më i drejtpërdrejtë, duke përmendur se mbrapa sulmuesve është një apo më shumë struktura të organizuara.

“Me një fjalë, ai ka drejtuar gishtin, pa e përmendur Serbinë, kah shteti serb si vend që rri mbrapa sulmuesve. Fakti se Radoiçiq mori përgjegjësinë dhe tha se organizoi sulmin dhe i njëjti u shfaq në pikë të ditës në objektet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë tregon se shteti serb është në të njëjtën linjë me sulmuesit, nuk i ndjek dhe bashkëpunon me ta”, ka theksuar tutje ai.

“Serbia përmes partive të caktuara serbe dhe liderëve politikë të lidhur me Beogradin e ka ndërtuar një narrativë te serbët se Kosovën e posaçërisht në veri se nuk mund të rrinë në shtetin që është më 17 Shkurt 2008. Dhe, kjo politikë e Serbisë ka dështuar në shumicën e komunave serbe, por ka gjetur fatkeqësisht përkrahje në veri”, ka potencuar Ismajli.

Ai ka potencuar se Serbia synon që përmes politikës së padëgjueshmërisë, refuzimit e deri edhe te përdorimi i armëve kundër Kosovës të krijojë një realitet për shkëputjen e veriut nga Kosova.

Sipas tij, në këtë drejtim, shteti i Kosovës duhet të ndërtojë kundërnarrativën se edhe serbët në veri mund të integrohen dhe të vendosin për fatin e tyre përmes përfaqësuesve të tyre në institucionet e Kosovës.

Profesori universitar ka theksuar se Kosova duhet të ndërmarrë veprime të shpejta në institucione në veri që të udhëhiqen nga banorët lokalë dhe të punojnë në përmirësimin e jetës së tyre.

“Pra, Qeveria dhe institucionet e tjera nuk duhet të lejojnë narrativen e Beogradit se serbët në veri refuzojnë shtetin e Kosovës prej 24 vitesh”, thotë ai.

Për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, Ismajli është shprehur se shteti i Kosovës ka vepruar drejt, në mënyrë profesionale dhe ka dhënë provimin e një shteti serioz që ruan jetën e civilëve dhe lufton grupe terroriste që kanë synim frikësimin e popullatës dhe dëmtimin e shtetit të Kosovës.

Në këtë situatë, Ismajli ka deklaruar se institucionet shtetërore duhet të ndërmarrin një fushatë agresive diplomatike për t’i treguar botës se Serbia, përkatësisht, presidenti Vuçiq, qëndron prapa sulmeve terroriste në veriun e Kosovës.

“Duhet të jenë të kujdesshëm me banorët lokalë në veri, sepse ata ballafaqohen për gjithë këto vite me pasiguri, me trazira, me barrikada dhe me jetë të rëndë. Prandaj, krerët e shtetit duhet të jenë të kujdesshëm dhe të marrin veprime në raport me përmirësimin e jetës së serbëve në veriun e Kosovës që ata të integrohen plotësisht në Republikën e Kosovës”, ka përfunduar ai.

Pas presionit të madh ndërkombëtar, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u dorëzua duke thënë se do të tërheqë forcat ushtarake të vendosura pranë kufirit me Kosovën.

Ndryshe, Millan Radojçiq, i cili e ka pranuar që qëndron pas sulmit terrorist në Banjskë, është liruar të mërkurën nga Gjykata e Serbisë.

Kosova ka kërkuar ekstradimin e tij, por kjo ka pak gjasa të ndodhë.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika