Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur në magjistralen Prizren–Gjakovë, në fshatin Piranë.
Viktima, një këmbësor rreth 81-vjeçar, ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes si pasojë e lëndimeve të rënda trupore.
Aksidenti ka ndodhur sot, më 22 mars 2026, rreth orës 18:30.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, i cili ka bërë të ditur se, sipas informatave të para, këmbësori është goditur nga një veturë teksa po tentonte të kalonte rrugën.
“Si pasojë e lëndimeve të rënda trupore, këmbësori D.H., mashkull rreth 81-vjeçar, ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, gjë e cila është konstatuar nga ekipi mjekësor emergjent”, ka deklaruar Bytyqi.
Ai ka shtuar se i dyshuari për shkaktimin e aksidentit është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është ndaluar për procedura të mëtejme.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar si “aksident trafiku me fatalitet”, ndërsa hetimet lidhur me rrethanat e ngjarjes janë në zhvillim.