Festimi i Vidovdanit në Gazimestan këtë vit ka kaluar pa ndonjë incident të theksuar.
Të shtunën, ceremonia në Gazimestan u zhvilluan në mënyrë të qetë, përveç disa rasteve ku disa pjesëmarrës serbë u shoqëruan nga Policia e Kosovës, pasi mbanin flamuj apo bluza me përmbajtje provokuese, përfshirë simbole apo figura që konsiderohen nxitëse në kontekstin e sigurisë. Disa prej tye u ndaluan pasi në fund nisën të bëjnë thirrje nacionaliste.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë mbledhje së Qeverisë të premten kishte paralajmëruar se Serbia mund të nxiste tensione gjatë kremtimit të Vidovdanit.
Disa prej serbëve u mblodhën edhe në Graçanicë. Por as aty nuk pati ndonjë incident madhor.
Pelegrinazhi tradicional i Vidovdanit mbahet çdo vit në Gazimestan, për të përkujtuar princin mesjetar serb Car Lazarin dhe ushtarët e tij të rënë në humbjen e Betejës së Kosovës më 1389 kundër Perandorisë Osmane. Përjashtim bëri viti 2023, kur për shkak të tensioneve në veri, ceremonia u zhvendos në Graçanicë.
Një vizitorit nuk është lejuar të hynte për shkak të një bluze me mbishkrimin “Delije sever” [Tifozët Delije nga veriu], ashtu sikurse disa tjerëve që mbanin flamuj serbë.
Delije është emri kolektiv i tifozëve të ekipit serb të futbollit, Cërverna Zvezda (Ylli i Kuq).
Më herët gjatë ditës, autoritetet kanë ndaluar një anëtar të partisë “Demokracia Serbe”, Stefan Vellkoviqin, pasi ai refuzoi të hiqte një bluzë me imazhin e liderit të partisë, Aleksandar Arsenijeviq.
Arsenijeviq, në pronën e të cilit u gjetën armë, nuk është në Kosovë, dhe Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla,ka thënë se ai do të arrestohej kur të hynte në Kosovë.
Arsenijeviq mohoi se armët e gjetura ishin të tijat, duke pretenduar se ato i ishin “vendosur” atij.
Në organizim kanë marrë pjesë edhe disa anëtarë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – përfshirë Sllavko Simiqin.