Kur rezultati preliminar e nxori Vetëvendosjen parti të parë, por me veç 42.91 për qind të votave, Albin Kurti, u shpreh i hapur për bashkëpunim me opozitën, meqenëse me 48 ulëse, vet, nuk mund ta bënte as formimin e qeverisë e hiç më pak, zgjedhjen e Presidentit.
Në natën e 7 qershorit, kur po festonin, Kurti hapi të gjitha rrugët e bashkëpunimit.
“Natyrisht, në javët në vijim, do komunikojmë e do ti takojmë, e do bashkëpunojmë me të gjitha subjektet politike të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Albin Kurti, kryeministër në detyrë.
Por, që nga kjo deklaratë, rezultatet ndryshuan ndjeshëm, sidomos pas numërimit të votave të diasporës, të cilat Vetëvendosjes ia shtuan hiç më pak se 5 deputetë, duke e çuar në 53 gjithsej, numër i cili, bashkë me minoritetet joserbe, ia krijon shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, për formimin e qeverisë.
Andaj, bashkë me rezultatin, ndryshoi edhe qëndrimi i Kurtit, për bashkëpunim me opozitën, duke u kufizuar tash veç te çështja e Presidentit.
“Por, natyrisht ju e dini që për çështjen e presidentit, zgjedhjes së presidentit ose presidentes, ne këtë nuk mund ta bëjmë vetëm, për shkak se nevojiten 80 veta aty në sallë në kuorum, në bazë të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese”, ak theksuar ai.
Marrë për bazë rezultatin zgjedhor, gati final, vlerësohet që vota e diasporës doli të jetë vendimtare, për t’ia mundësuar Vetëvendosjes që të mos bëjë koalicion, që do shërbente për Qeverinë dhe Presidentin.
“Diaspora vërtetë, ashtu siç pritej, e ndikoi shumë rezultatin e përgjithshëm, duke i hapur rrugë Kurtit, që ta rrisë “pazarin” për çështjen e Presidentit. Sepse, po të kishte vota më pak, do detyrohej mbase, që ta arrinte një koalicion për qeverinë, që do shërbente edhe për Presidentin”, ka deklaruar Basri Muja, profesor i lëndëve politike.
Kështu, me veç postin e Presidentit në “lojë”, vlerësohet që rriten gjasat për një proces të ri zgjedhor, pak muaj më vonë.
“Duke u bazuar në gjuhën e politikanëve dhe polarizimin, besoj de do jetë e vështirë te gjendet zgjidhje për presidentin, prandaj vendi mund të shkojë në zgjedhje”, ka theksuar Blerim Canaj, njohës i çështjeve politike.
Kur janë numëruar gati 100% të votave, Vetëvendosje i ka siguruar 53 mandate, PDK 22, LDK 18 dhe Aleanca 7.