Procesi i numërimit të votave nga diaspora, i cili nisi pasditen e së premtes, nuk e ka ndryshuar fatin e komunës së Gjilanit.
Këto vota kanë konfirmuar se kjo komunë do të shkojë në balotazh. Nga numërimi i 85% të votave të ardhura nga jashtë Kosovës, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni është renditur i pari me 51.77%, por pa arritur të sigurojë mbi 57% të tyre, sa i duheshin për të fituar garën në rundin e parë.
Kurse kandidati i LDK-së, Arbër Ismajli ka marrë 36.32% të votave.
Rezultatet e numërimit të këtyre votave kanë nisur të publikohen në faqen zyrtare të KQZ-së, gjersa procesi pritet të përfundojë të hënën.
Kurse në Mitrovicën e Jugut, votat e diasporës e kanë ndërruar renditjen. Derisa janë numëruar mbi 70 për qind e votave të diasporës, Faton Peci i Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë 56.03% të votave dhe e ka tejkaluar Arian Tahirin e PDK-së, i cili ka fituar 32.47% të tyre.
Aktualisht, Peci është në vendin e parë me 87 vota më shumë sesa Tahiri.
“Me rezultatin aktual, Kandidati i PDK-së, Arian Tahiri duhet të fitojë afërsisht 48% të votave të diasporës që i njëjti ta sigurojë balotazjin nga pozita e parë. Nëse kandidati i VV-së merr mbi 52-53%, atëherë i njëjti do ta ketë të sigurt vendin e parë në balotazh”, ka thënë Eugen Cakolli – Hulumtues i lartë në KDI.
Cakolli vlerëson se votat e diasporës mund të sjellin edhe balotazh edhe në komuna që nuk pritej të shkojnë në rundin e dytë.
“Komuna e Deçanit, komunë e cila aktualisht nuk pritet të ketë balotazh duke llogaritur vetëm votat brenda është njëra prej komunave ku votat e diasporës mund të ndikojnë të ketë balotazh. Në këtë drejtim, kandidati i AAK, Bashkim Ramosaj duhet të fitojë 40% të votave të diasporës në mënyrë që ta sigurojë fitoren pa balotazh”, ka thënë Eugen Cakolli – Hulumtues i lartë në KDI.
E nëse ka një komunë që rezultatet e diasporës zor se do të sjellin ndryshim, është ajo e Prishtinës.
”Aktualisht me votat dhe diferencën aktuale, pa i llogaritur votat me kusht, i duhet që kandidati i LDK – Përparim Rama të fitojë afërsisht 15% të votave të diasporës që matematikisht, ta sigurojë vendin e parë. Nëse nuk arrin ta sigurojë këtë numër dhe partitë e tjera fitojnë më shumë, ekziston mundësia që Hajrulla Çeku të jetë i pari ani pse prakikisht është e pamundur”, ka thënë Eugen Cakolli – Hulumtues i lartë në KDI.
Fitoren në Shtime e ka siguruar kandidati i VV-së, Qemajl Aliu ka marrë 51.63%, kurse kandidati i PDK-së, Përparim Ramusa 35.15% të votave.
Numërimi i votave nga diaspora ka përfunduar edhe në Junik me ç’rast 50.97% e tyre janë për Ruzhdi Shehun e LDK-së, me pasues Agron Kuçin, i cili mori 35.34%
Kurse në Dragash, Bexhet Xheladini LDK-së ka marrë mbi 55% të votave të diasporës, ndërsa kandidati i PDK-së Shaban Shabani 25.43%.