Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është vendosur sërish në qendër të akuzave të rënda që lidhen me të kaluarën e tij gjatë luftës në Bosnjë.
Sipas gazetës prestigjioze britanike The Telegraph, Vuçiq po akuzohet për përfshirje në atë që po quhet “snajperë safari”. një praktikë makabre ku të huaj të pasur dyshohet se paguanin shuma të mëdha për të qëlluar drejt civilëve në Sarajevë gjatë rrethimit të viteve 1992–1996.
Akuzat janë ngritur nga Domagoj Margetiq, gazetar kroat i njohur për hetime të ndjeshme rreth krimeve të luftës në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Ai pretendon se Vuçiq ka qenë i pranishëm në një nga pozicionet e snajperëve mbi qytet, në zonën e varrezave hebraike — një vend i njohur ku forcat serbe mbanin pozicione të përhershme zjarrvënieje ndaj Sarajevës.
Sipas Margetiqit, ish-anëtari i Partisë Radikale Serbe ishte pjesë e një njësie paramilitare në vitet 1992–1993, e cila kontrollohej nga ky subjekt politik.
Gazetari ka dorëzuar një ankesë zyrtare tek prokurorët italianë, të cilët aktualisht po zhvillojnë hetime të pavarura për akuzat se shtetas italianë, rusë dhe amerikanë kishin marrë pjesë në këto “safare” makabre njerëzore. Në dosjen e tij, Margetiqi ka bashkëngjitur, sipas tij, dëshmi të shumta, video, audio dhe dokumente nga ajo periudhë, që do të mund të vërtetonin praninë e Vuçiqit në zonat e luftës.
Një video nga viti 1993, e cila ka qarkulluar së fundmi, shihet si element kyç i debati publik. Në të shfaqet një i ri – i identifikuar nga Margetiqi si Aleksandar Vuçiq – duke mbajtur një objekt që sipas tij është pushkë.
Por përkrahësit e Vuçiqit e mohojnë kategorikisht këtë, duke këmbëngulur se objekti është një tripod kamere, pasi në atë kohë Vuçiq punonte si gazetar. Vetë presidenti serb ka deklaruar se bëhet fjalë vetëm për një çadër.
Reagimi nga kabineti presidencial serb ka qenë i menjëhershëm dhe i ashpër. Zëdhënësja e Vuçiqit, Suzana Vasiljeviq, në një përgjigje për The Telegraph, i ka cilësuar akuzat si “dezinformim dashakeq”, të krijuar me qëllimin e vetëm për të sulmuar kredibilitetin e institucioneve serbe dhe të vetë presidentit.
Ajo ka theksuar se Vuçiq “nuk ka marrë pjesë në aktivitete luftarake, nuk ka përdorur armë dhe nuk ka pasur asnjë rol në operacione të kohës së luftës”.
Rrethimi i Sarajevës, një nga ngjarjet më të errëta të luftërave në Ballkan, mori jetën e mbi 10 mijë civilëve të vrarë nga predhat dhe snajperët.