Vuçiq po e humb terrenin – Sipas një hulumtimi, shumica në Serbi po e kërkojnë fundin e pushtetit të tij

Në Serbi, gjithnjë e më shumë qytetarë po i largohen presidentit Aleksandar Vuçiq.

Sipas një hulumtimi të fundit të realizuar nga organizata CRTA, 43 për qind e qytetarëve deklarojnë se nuk ka rëndësi kush e zëvendëson Vuçiqin – për ta, më e rëndësishme është largimi i tij. Vetëm 39 për qind besojnë se vendi do të ishte më keq pa të, duke treguar një rënie të dukshme të mbështetjes për presidentin aktual.

Po ashtu, rezultatet e sondazhit tregojnë një ndryshim të dukshëm në ekuilibrat politikë. Lista studentore, e cila përfaqëson alternativat qytetare dhe kërkesat për ndryshim, aktualisht gëzon përkrahjen e 44 për qind të qytetarëve. Në anën tjetër, blloku i udhëhequr nga Vuçiq ka përkrahjen e vetëm 32 për qind.

Hulumtimi i realizuar nga 13 deri më 27 shtator tregon se dy të tretat e qytetarëve mbështesin idenë e zgjedhjeve të parakohshme si mënyrë për të dalë nga kriza aktuale politike. Ajo që bie në sy është se edhe një pjesë e madhe e votuesve të partive në pushtet – pothuajse çdo i treti – mendon se vendi ka nevojë për zgjedhje të reja.

CRTA thekson se Serbia ndodhet në një atmosferë të ngjashme me një referendum, me një ndarje të qartë mes mbështetësve të Vuçiqit dhe atyre që kërkojnë ndryshim përmes lëvizjes studentore.

Ndërkohë, mbështetja për protestat kundër qeverisë është në rritje të vazhdueshme. 58 për qind e qytetarëve i përkrahin protestat, krahasuar me 39 për qind që janë kundër tyre. Kjo tregon një aktivizim të shtuar të opinionit publik dhe një rënie të ndjeshme të qëndrimeve neutrale.

Të fundit nga rubrika