Një aksion i përbashkët i Prokurorisë Themelore në Pejë dhe Njësitit Kundër Drogës ka rezultuar me zbulimin e një laboratori të madh për prodhimin e narkotikëve në një fshat të komunës së Pejës.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili bëri të ditur se në vendin e ngjarjes janë angazhuar njësia antidrogë e Policisë së Pejës, si dhe njësitet relevante policore, së bashku me prokurorin e krimeve të rënda.
Sipas Nikçit, në këtë rast pritet që të ketë edhe arrestime, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur plotësisht rastin dhe personat e përfshirë.
“Në një fshat të komunës së Pejës është kapur sasi e konsiderueshme e narkotikeve. Përveç drogës është zbuluar edhe një laborator për prodhimin e narkotikëve. Në këtë rast pritet të ketë arrestime. Në vend të ngjarjes janë njësiti anti-drogë nga Policia e Pejës dhe të gjitha njësitet relevante bashkë, me prokurorin e krimeve të rënda nga Prokuroria Themelore në Pejë”, u shpreh Nikçi.