Komuna e Zetës në Mal të Zi ka miratuar një deklaratë të çuditshme për “çnjohjen” e Kosovës, një lëvizje pa efekt juridik, por vetëm me ngarkesë nacionaliste, e shtyrë nga politikani proruso-serb, Milan Knezheviq.
Deklarata u votua nga këshilltarët lokalë të partive pro-serbe dhe u promovua menjëherë nga Knezheviq në rrjetin X, ku ai e paraqiti si një “hap historik’ drejt anulimit të njohjes së Kosovës nga Mali i Zi.
Kush është Milan Knezheviç, politikani proserb në Mal të Zi që po kërkon “çnjohjen” e Kosovës?
“Zeta anuloi vendimin për të njohur të ashtuquajturën Kosovë. Hyrja në histori fillon me një hap të vogël dhe mbaron me marshimin e përjetësisë! Asnjë hap prapa!”, ka shkruar ai në X.
Megjithatë, pavarësisht retorikës triumfaliste, vendimi i Kuvendit Komunal të Zetës nuk prodhon asnjë pasojë ligjore. Politika e jashtme dhe njohjet shtetërore janë kompetencë ekskluzive e qeverisë qendrore dhe parlamentit të Malit të Zi, jo e vetëqeverisjeve lokale.
Kjo e bën deklaratën më shumë një akt propagandistik.
Knezheviq, i njohur për qëndrimet e tij të afërta me Beogradin dhe narrativat proruse në rajon, po e përdor çështjen e Kosovës si instrument për mobilizim elektoral dhe për të forcuar bllokun nacionalist serb në Mal të Zi.
Nuk është rastësi që deklarata u votua më 12 maj, në ditën e Shën Vasilit të Ostrogut, një datë me simbolikë për qarqet nacionaliste serbe dhe Kishën Ortodokse Serbe.
Në deklaratat e tij, ai ka folur për “larjen e turpit” nga njohja e Kosovës në vitin 2008, duke e cilësuar atë vendim si njollë mbi “fytyrën malazeze”.
Kjo retorikë nuk është vetëm provokuese ndaj Kosovës, por edhe përçarëse brenda vetë Malit të Zi, që vazhdon të përballet me tensione mes orientimit perëndimor dhe ndikimit serbo-rus.
Fakti që një pjesë e partive të shumicës parlamentare në Mal të Zi po tolerojnë ose mbështesin retorikën e Knezheviqit ngre shqetësime serioze për drejtimin politik të vendit.
Kujtojmë që këtë iniciativë e ka mbështetur, edhe he kryetari aktual i Komunës së Zubin Potokut nga Lista Serbe, Millosh Peroviq, i cili ka dalur hapur krah strukturave që mohojnë shtetin e Kosovës dhe promovojnë narrativa nacionaliste serbe.
Përpjekjet për të rikthyer narrativa të viteve ‘90 dhe për të sfiduar realitetin shtetëror të Kosovës rrezikojnë të destabilizojnë marrëdhëniet rajonale dhe të minojnë pozicionin euroatlantik të Malit të Zi.
Kosova është njohur nga Mali i Zi që nga 9 tetori 2008 dhe ky vendim mbetet në fuqi.