Zyrtar iranian paralajmëron për luftë të re me Izraelin ose SHBA-në

Një zyrtar i lartë i Gardës Revolucionare të Iranit ka paralajmëruar se një konflikt i ri me Izraelin ose SHBA-në mund të shpërthejë në çdo moment.

Yahya Rahim Safavi, këshilltar i lartë ushtarak i Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei, deklaroi se vendi ndodhet në një “fazë lufte” dhe se nuk ekziston asnjë marrëveshje ose armëpushim me këto shtete.

“Mendoj se një luftë tjetër mund të ndodhë, dhe pas saj mund të mos ketë më luftëra”, tha Safavi, duke shtuar se Irani duhet të forcohet përballë presionit amerikan dhe izraelit. Ai nënvizoi se strategjia e vendit duhet të mbështetet te diplomacia, fuqizimi mediatik, raketat, dronët dhe sulmet kibernetike.

Deklaratat e tij pasojnë kërcënimin e ministrit të jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në fund të korrikut, i cili paralajmëroi se Irani do t’i përgjigjej në mënyrë “vendimtare” çdo sulmi nga SHBA ose Izraeli. Araghchi tha se, megjithëse opsioni ushtarak kundër programit bërthamor të Iranit dështoi, një zgjidhje e negociuar mbetet e mundur.

Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kërcënuar të vazhdojë sulmet ndaj Iranit nëse ky i fundit vazhdon pasurimin e uraniumit. “Nëse dikush në Iran tenton të rindërtojë programin bërthamor, do të veprojmë me vendosmëri për ta penguar”, u shpreh ai, pas një fushate ushtarake të nisur më 13 qershor.

Konflikti 12-ditor që shpërtheu atëherë filloi me një sulm të papritur izraelit, i cili kishte në shënjestër udhëheqës ushtarakë, shkencëtarë bërthamorë dhe objektet e raketave balistike të Iranit. Izraeli e justifikoi këtë veprim si të domosdoshëm për të parandaluar Teheranin nga ndërtimi i armëve bërthamore. Irani, ndërkohë, ka mohuar synimet për armatim, por ka pasuruar uranium në nivele të dyshimta dhe ka kufizuar qasjen e inspektorëve ndërkombëtarë.

Përgjigjja e Iranit erdhi me mbi 500 raketa balistike dhe rreth 1,100 dronë të lëshuar drejt Izraelit. Sulmet shkaktuan 31 viktima dhe plagosën mbi 3,000 persona. Në total u goditën 240 ndërtesa, 2,305 shtëpi, dy universitete dhe një spital, ndërsa mbi 13,000 qytetarë u zhvendosën.

Situata mbetet e tensionuar, me paralajmërime për përshkallëzim të ri nëse programi bërthamor i Iranit dhe veprimet ushtarake të Izraelit nuk ndalen.

Të fundit nga rubrika