Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se ka pezulluar angazhimet për formimin e institucioneve të reja, pas nismës së dorëzuar për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë dhe kërkesës për shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit.
Ai ka vlerësuar se nuk do të ishte e përgjegjshme që të negocionte në emër të LDK-së derisa pozita e tij si kryetar është vënë në diskutim nga brenda partisë.
Ai ka deklaruar se në selinë qendrore të partisë janë deponuar 148 nënshkrime të delegatëve për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së dhe kërkesën për shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit.
Në një video të publikuar në Facebook, Abdixhiku tha se nënshkrimet janë paraverifikuar nga Sekretariati i LDK-së dhe se, pas verifikimit përfundimtar, do të caktohen pa vonesë data dhe vendi i mbajtjes së Kuvendit.
Ai deklaroi se ka autorizuar sekretarin e partisë që të nisë menjëherë procedurat për organizimin e Kuvendit, duke theksuar se nuk do t’i shmanget asnjë procesi demokratik brenda partisë.
“LDK ka qenë dhe duhet të mbetet shtyllë e demokracisë, prandaj nuk do t’i shmangem asnjë procesi demokratik, nuk do ta nxjerr asnjë votë dhe nuk do ta mbaj asnjë detyrë kundër vullnetit të shumicës”, ka deklaruar Abdixhiku.
