Qasja e BE-së ndaj Kosovës, kthesë negative në dialogun me Serbinë

Dëme të mëdha vlerësohet se i ka shkaktuar dialogut të Brukselit fajësimi që përfaqësuesi i BE-së, Josep Borell i bëri Kosovës për dështimin e marrëveshjes me Serbinë, të hënën. Mirëpo, njohës të çështjeve diplomatike vlerësojnë se pozitiv është fakti që palët po ia thonë hapur pakënaqësinë njëra-tjetrës





Kthesë të papritur morën raportet e Kosovës dhe BE-së pas gjashtë takimeve të së hënës në Bruksel.

Përpjekjet gjithë ditore të ndërmjetësuesve për t’i bindur Kosovën dhe Serbinë të arrijnë marrëveshje për zgjidhjen e krizës në veri dështuan.

E fajin për këtë, përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borell ia la kryeministrit kosovar, Albin Kurti, i cili përgjegjës e bëri pikërisht diplomatin spanjoll.

Mirëpo, kjo qasje e BE-së del të mos jetë e re.

Ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj kujton kohën kur edhe paraardhësja e Borellit, italiania Federica Mogherini nuk ka pasur qasje tejet konstruktive me liderët e Kosovës.

Megjithatë, sipas Cufajt, në gjithë këtë situatë ka diçka pozitive.

“Përkundër gjithë fërkimeve që kanë ngjarë dje në Bruksel ajo që është pozitive në sytë e mi është fakti që për këto gjëra është folur haptazi. Qoftë gjoja fajësimi apo fajësimi që Borell i ka bërë Prishtinës dhe në këtë rast kryeministrit të Qeverisë së Kosovës Z. Kurti por edhe përgjigja e hapur e Z. Kurti i cili fajësimit të Borellit iu përgjigj po me fajësimin që Brukseli nuk ka pranuar që të flitet për draft kornizën, përkatësisht marrëveshjen mes Prishtinës dhe Beogradit, ka bërë që diskursi të jetë më i hapur”, ka deklaruar Beqë Cufaj, ish-ambasador në Gjermani.

Vlerësim të ngjashëm si të ish-diplomatit Cufaj ka edhe Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, i cili përcjellë zhvillimet në dialog.

Sipas Fetahut, kjo qasje do t’i shkaktojë dëme të shumëfishta procesit të bisedimeve.

“Gjithsesi, besoj që e ndikon procesin e dialogut, edhe ndërmjetësimin edhe vazhdimin e negociatave, pasi një lloj mosbesimi publik veç është krijuar tashmë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Z. Borell si përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian. Me deklaratën e djeshme është bërë një dëm në proces, është bërë një dëm karshi palës kosovare dhe karshi procesit në tërësi”, ka deklaruar Arbër Fetahu, nga GLPS.

Qëndrimin e Borellit e kritikoi haptazi Albin Kurti kur përfunduan takimet. E pas kryeministrit, gjuhë të ashpër përdori edhe presidentja Vjosa Osmani.

Mirëpo, pavarësisht rrethanave, sipas ish-diplomatit Cufaj, liderët kosovarë do duhej të tregoheshin më të matur.

“Qasja e përfaqësuesit të politikës së jashtme të Komisionit Evropian ose siç njihet super ministrit të jashtëm të Bashkimit Evropian në fakt nuk ka qenë konstruktive, mirëpo njëkohësisht them që do duhej të ishim pak më të kujdesshëm në vlerësimet tona rreth Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Cufaj.

Takimi Kurti-Vuçiq të hënën ishte i katërti ndërmjet kryeministrit kosovar dhe presidentit serb në kuadër të dialogut të Brukselit.

 





Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika