Grupi ndërministror për rastin e vrasjes së Hamide Magashit, do të mblidhet sërish këtë të hënë.
Ministria e Drejtësisë, së bashku me institucionet e tjera, do të shqyrtojnë raportet e tjera inspektuese, për të parë nëse ka pasur shkelje në trajtimin e rastit të 35-vjeçares, e cila u vra nga ish-bashkëshorti i saj në oborrin e QKUK-së.
“Siç jeni të njoftuar, ministritë përgjegjëse kanë ndërmarrë veprime inspektimi përmes trupave inspektuese në lidhje me rastin e Hamide Magashit. Në lidhje me raportet e përfunduara të inspektimit, Ministrja e Drejtësisë ka ftuar mbledhjen e grupit ndërministror, të hënën, datë 19 Dhjetor 2022”, ka thënë Ministria e Drejtësisë.
Ministria e Drejtësisë ka qenë në pritje të dy raporteve inspektuese, atë të qendrave për punë sociale dhe të inspektoratit shëndetësor.
Nga Ministria e Shëndetësisë, kanë thënë se raporti i është dorëzuar institucioneve përgjegjëse, porse nuk mund të japin detaje për të gjeturat.
“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Inspektorati Shëndetësor ka kryer inspektime specifike lidhur me rastin e pacientes/të ndjerës në Kliniken e Gjinekologjisë, ku nga ky inspektim është hartuar raporti, meqenëse rasti është i ndjeshëm, lidhur me çështjen në fjalë janë duke u marrë organet e hetuesisë”, ka shtuar Ministria e Drejtësisë.
Për shkak të mostrajtimit të duhur të rastit të 35-vjeçares nga Lipjani para se të vritej, Inspektorati policor i Kosovës, ka suspenduar nga puna 4 zyrtarë policorë të stacionit në Lipjan.
Ata dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për falsifikim të dokumenteve, dyshime me të cilat është duke u marrë Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Sokol Haliti, i dyshuari për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, bëri vetëvrasje pas disa ditësh në arrati.
Hamide Magashi kishte urdhër mbrojtjeje nga Gjykata, pasi që e kishte raportuar të dyshuarin në Polici për dhunë në familje.