Çfarë ndodhi të dielën në veri?

Në mbrëmjen e së dielës së 25 dhjetorit, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri afër komunës së Zubin Potokut. KFOR-i ka konfirmuar se u qëllua me armë zjarri në afërsi të patrullës së saj në Zubin Potok, ndërsa Policia e Kosovës ka demantuar raportimet e mediave serbe se ka qenë e përfshirë në shkëmbim zjarri në Zubin Potok

KFOR-i

Gjatë mbrëmjes të së dielës, është raportuar për të shtëna në komunën e Zubin Potokut.

Burime pranë redaksisë Dukagjini, kishin bërë të ditur se është sulmuar një ekip i KFOR-it në këtë komunë.

Ata kishin sulmuar njësinë letoneze të KFOR-it.

Pas pak çastesh, Misioni Paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, ka konfirmuar se u qëllua me armë zjarri në afërsi të patrullës së saj në Zubin Potok.

Në një përgjigje për Portali Dukagjini nga zyra për informim, thuhej se ngjarja ka ndodhur derisa ushtarët e KFOR-it ishin duke i kryer detyrat e tyre.

Nga ky rast nuk mbeti ndonjë i lënduar, dhe se po kontrollohen faktet.

“Në këtë moment mund të konfirmoj se para disa orësh një patrullë e KFOR-it, derisa ishte në detyrë në rrethinën e Zubin Potokut, ka dëgjuar dhe parë disa të shtëna afër tij. Të lënduar nuk ka dhe nuk ka dëme materiale. Tani po i kontrollojmë faktet dhe do t’ju përditësojmë”, thuhet në përgjigje.

Gjithashtu, edhe Policia e Kosovës ka dalë me një njoftim pas raportimit për të shtëna pranë Zubin Potokut, Policia ka njoftuar se nuk ka pasur ndonjë sulm ndaj tyre e as ndonjë shkëmbim zjarri në mes policisë apo ndonjë grupi.

Me anë të një komunikate për media, Policia ka theksuar se PK-ja nuk ka pasur shkëmbim zjarri ndaj askujt.

“Referuar pyetjeve të shumta adresuar Policisë së Kosovës, se a është sulmuar Policia në Zubin Potok, apo a ka pas shkëmbim të zjarrit mes Policisë dhe grupeve kriminale?, ju informojmë se; Nuk ka pasur ndonjë sulm ndaj Policisë së Kosovës, e as nuk ka pasur ndonjë shkëmbim zjarri mes Policisë së Kosovës, apo ndonjë grupi, PK-ja nuk ka pasur shkëmbim zjarri ndaj askujt”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, Blerim Vela, Shefi i Kabinetit të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanit, ka thënë se mediat pro regjimit të Serbisë janë në përpjekje për të nxitur konfrontim të armatosur në Kosovë, duke raportuar rrejshëm se përleshjet po ndodhin pranë Zubin Potokut.

Ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Twitter, ka thënë se Policia e Kosovës nuk është e përfshirë në asnjë përleshje, dhe sipas tij, strukturat ilegale dhe kriminale të Serbisë janë ato që po gjuajnë me armë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar ndaj të shtënave në Zubin Potok, duke thënë se lojërat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, vazhdojnë.

Sveçla tha se fillimisht “mediat serbe kanë thënë se në Z. Potok ka pasur përleshje të iniciuara nga PK-ja. Kur e kuptuan se sulmuan KFOR-in, duan t’i mohojnë të gjitha sulmet”.

Ai kërkoi që barrikadat duhet të hiqen dhe të ndalohet organizimi i strukturave ilegale që synojnë destabilizimin e Kosovës.

“Lojërat e Vuçiqit vazhdojnë. Fillimisht kanë thënë se në Z. Potok ka pasur përleshje të iniciuara nga PK-ja. Kur e kuptuan se sulmuan KFOR-in, duan t’i mohojnë të gjitha sulmet. Barrikadat duhet të hiqen. Serbia duhet të ndalojë organizimin e strukturave ilegale kriminale që synojnë të destabilizojnë Kosovën”, ka shkruar Sveçla në Twitter.

Ndryshe sot shënon dita e 17-të qëkur në rrugët e veriut të Kosovës serbët lokalë kanë ngritur barrikada në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-pjesëtari serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, për të cilin, autoritetet në Kosovë thonë se i ka organizuar sulmet ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Që nga ajo ditë, forcat e policisë së Kosovës vazhdojnë të jenë të dislokuara në veri.

Ndërkaq, që nga 6 dhjetori, në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë shënuar disa incidente të armatosura.

Sulme ka pasur edhe ndaj Policisë së Kosovës.

Për t’u kujdesur për sigurinë e qytetarëve në atë pjesë të Kosovës, janë shtuar patrullime edhe nga ana e KFOR-it e EULEX-it.

Të njëjtat barrikada vazhdojnë të qëndrojnë ende të palëkundura përkundër thirrjeve ndërkombëtare që ato të hiqen menjëherë.

 

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika