Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka ruajtur me dinjitet interesat e Republikës së Kosovës.
Ndonëse ministrja Haxhiu mbajti një konferencë për media lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për KPK-në, ajo u pyet se a do të marrë pjesë në protestën e së shtunës kundër Asociacionit.
Në përgjigjen e saj, ajo tha se Kosova nuk ka pasur përfaqësim më të dinjitetshëm ndonjëherë.
“Kosova nuk ka pasur një kryeministër që mbron në mënyrën më të mirë të mundshme interesat e qytetarëve. Asnjëherë më parë nuk ka pasur përfaqësim më të dinjitetshëm të Kosovës, por siç e dini në të kaluarën kur interesat e shteti s’janë përfaqësuar drejt dhe denjësisht. Prandaj, edhe kemi pasë koncensione të shumta, pasojat e të cilave po i vuajmë sot”, ka thënë Haxhiu, gjersa theksoi se kryeministri Kurti ka bërë zgjidhjen e duhur.
Ndër të tjera, ministrja në fjalë tha se nuk konsideron që të jenë cenuar interesat e Kosovës. Ajo pati edhe “një adresë” për ata që mendojnë ndryshe.
“Nuk konsiderojmë që po cenohen interesat e Republikës së Kosovës, nuk konsiderojmë që po cenohen interesat e qytetarëve. Ata të cilët konsiderojnë i kanë mjetet demokratike, të cilat i njeh edhe Kushtetuta e Kosovës”, ka deklaruar ajo.
Ndryshe, protesta e organizuar nga Partia Sociademokrate pritet të nisë në orën 14:00, pasditen e së shtunës. Përpos kundërshtimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, PSD ka kërkuar edhe dorëheqjen e kryeministrit.