Inceneratori i Fierit, pranohet gjykimi i shkurtuar

Në Shqipëri, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të hënën, të pranojë gjykimin e shkurtuar për shumicën dërrmuese të 20 të pandehurve në procesin për inceneratorin e Fierit

Inceneratori i Fierit. Foto: VoA

Në Shqipëri, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të hënën, të pranojë gjykimin e shkurtuar për shumicën dërrmuese të 20 të pandehurve në procesin për inceneratorin e Fierit.

Vetëm tre prej tyre kërkuan vijimin e plotë të procesit: Etleva Kondi, anëtare e komisionit të dhënies së koncensionit, Arenc Myrtezani, administrator i shoqërisë “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier” sh.p.k., kompania koncensionare, dhe Giuseppe Ciaffaglione, administratorit të shoqërisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV”, inceneratori i Tiranës, nën akuzë për korrupsion sepse pagoi babain e ish deputetit socialist Alqi Bllako, i punësuar fiktivisht pranë kompanisë. Ndërkohë një nga të akuzuarit, Enver Sheshi, administrator i një prej kompanive që dyshohet se lëshonin fatura për punë të pakryera, është ndarë nga jeta disa muaj më parë.

Gjykimi i shkurtuar, shmang thirrjen e dëshmitarëve në sallë apo paraqitjen e provave nga palët, duke i dhënë nga ana tjetër mundësi të akuzuarve, që në rast se dënohen, të përfitojnë uljen e një të tretës së kohës së dënimit.

Sipas Prokurorisë, shkeljet kanë nisur që me procedurat e dhënies së koncensionit dhe me vlerësimin e sipërfaqes ku do të ngrihej impianti, duke vijuar më pas me skema mashtrimi me fatura fiktive për blerje apo punë të pakryera, si dhe me Tatimin mbi vlerën e shtuar, apo dhe akte korrupsioni të zyrtarëve të ndryshëm.

Ndaj ish ministrit të Mjedisit Lefter Koka, Prokuroria ka ngritur tre akuza, nga “Shpërdorimi i detyrës”, te “Korrupsioni” apo dhe “Pastrimi i parave”. Ai dyshohet të ketë përfituar mbi 1.2 milionë euro në formë rryshfeti. Të njejtat akuza rëndojnë mbi të dhe për rastin e Elbasanit.

Ish deputeti socialist Alqi Bllako akuzohet për “Shpërdorim të detyrës” dhe “Korrupsion”, në dy raste, ndërsa fillimisht ka patur funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit dhe më pas atë të Drejtorit të Përgjithshëm të AKUM-it.

Klodian Zoto (aksioner kryesor i shoqërisë koncesionare) është i pandehuri me më shumë akuza, 6 të tilla, nga korrupsioni, mashtrimi, apo dhe pastrimi i parave. Si Zoto, ashtu dhe ish deputeti Bllako janë nën akuzë dhe për rastin e Elbasanit.

Të akuzuarit e tjerë, janë ish administratorë të shoqërisë aksionere, ish zyrtarë, apo dhe administratorë e përfaqësuesë shoqërish të ndryshme private.

Hetimet për inceneratorin e Fierit u mbyllën dhjetorin e kaluar. Paralelisht në Gjykatën e Posaçme po zhvillohet dhe procesi për rastin e Elbasanit. Gati dy javë më parë Prokuroria e Posaçme dha pretencën, duke kërkuar dënime nga 7 deri 10 vite burg të akuzuarit, të cilët përfitojnë uljen me 1 të tretën, për shkak të gjykimit të shkurtuar. / VoA

 

Shija e redaktorit

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

Të fundit nga rubrika