NATO: S’ka rrezik që Rumania të futet në luftë me Rusinë

Zëvendëssekretari i NATO-s, Mircea Geoana, ka theksuar se “nuk ka rrezik” që anëtarja e aleancës, Rumania, të futet në luftë pas incidenteve të fundit, kur u gjetën fragmente të një droni në territorin e saj, pranë kufirit me Ukrainën e përfshirë në luftë me Rusinë

Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana. Fotografi nga arkivi.

Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, ka theksuar se “nuk ka rrezik” që anëtarja e aleancës, Rumania, të futet në luftë pas incidenteve të fundit, kur u gjetën fragmente të një droni në territorin e saj, pranë kufirit me Ukrainën e përfshirë në luftë me Rusinë.

“Gjëja më e rëndësishme është që të rikonfirmojmë faktin që nuk ka asnjë tregues të një veprimi të qëllimshëm [nga Rusia] për të sulmuar territorin rumun, rrjedhimisht territorin e NATO-s”, ka potencuar Geoana për gazetarët gjatë një vizite që i bëri një shkolle afër kryeqytetit rumun, Bukuresht.

Komentet e zëvendësshefit të NATO-s vijnë disa ditë pasi autoritetet rumune dy herë konfirmuan se kanë gjetur fragmente të dronëve në territorin e tyre, pas sulmeve që forcat ruse kryen ndaj porteve të Ukrainës në lumin Danub, që gjenden përtej kufirit të Rumanisë.

Por, afërsi e sulmeve të Rusisë në pjesën tjetër të Danubit ka bërë që qytetarët rumunë që jetojnë aty pranë, të kenë frikë se shteti i tyre mund të përfshihet në luftë.

“Kur dëgjoni zhurmat e luftës disa qindra metra larg shtëpisë tuaj, vendit tuaj të punës, ato do të gjenerojnë emocion dhe ankth”, ka thënë Geoana, që më herët ka qenë ministër në Rumani dhe ambasador në SHBA.

“Por, nuk ka asnjë rrezik që Rumania të përfshihet në këtë konflikt”.

Pas zbulimit të dytë të fragmenteve të dronëve të shtunën, presidenti rumun, Klaus Iohannis, tha se ato ishin “të ngjashme me ato që përdoren nga ushtria ruse” dhe se incidenti lë të kuptohet se ka pasur “shkelje absolutisht të papranueshme të hapësirës ajrore sovrane të Rumanisë, aleates së NATO-s, me rreziqe reale të sigurisë për qytetarët rumunë në atë zonë”.

“Dua ta siguroj publikun rumun dhe veçanërisht ata që janë në kufi me Ukrainën se nuk kanë asnjë arsye për t’u shqetësuar”, ka potencuar Geoana, duke shtuar se ai do të vizitojë atë zonë.

Javën e kaluar, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se aleatët kanë parë “incidente të tjera në Poloni dhe gjetkë”, por nuk elaboroi më shumë.

Sipas nenit 5 të sigurisë kolektive, të 31 anëtarët e NATO-s zotohen se do të ndihmojnë çdo shtet anëtar që sulmohet. Në të njëjtën kohë, ka shqetësime se NATO mund të futet në një luftë me Rusinë nëse ndodh ndonjë incident i vogël apo ndonjë gabim./REL

Shija e redaktorit

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

FC Prishtina mbështetë “Marshin për Liri” më 12 shtator, në...

Klubi i Futbollit “Prishtina” i është bashkuar përkrahjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje...

Të fundit nga rubrika