Gjykata Speciale konfirmon lirimin e Gucatit

Gjykata speciale e ka konfirmuar lirimin e Hysni Gucatit. Në komunikatën për media të Dhomave të Specializuara të Kosovës thuhet se Gucati është liruar me disa kushte qe do të mbeten në fuqi gjatë pjesës së mbetur të dënimit

Hysni Gucati, 17 tetor 2023. Foto Anduena Bajqinofci RTV Dukagjini.

Më 12 tetor, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatësja Ekaterina Trendafilova, ka vendosur të modifikojë dënimin për Hysni Gucati, duke lejuar lirimin e tij.

Kështu është bërë e ditur në komunikatën e Dhomave të Specializuara të Kosovës, ku thuhet se edhe pse veprat penale për të cilat ai u dënua janë të rënda, vendimi për modifikim të dënimit është marrë nga “ndryshimet në sjelljen dhe veprimet e Gucatit gjatë kohës së paraburgimit”.

Në komunikatë, po ashtu, thuhet se Gucati ka dhënë zotimin se nuk do të përfshihej në vepra të tjera që mund të karakterizoheshin si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe do të përmbushte të gjitha kushtet e përcaktuara për lirimin e tij.

“Kryetarja theksoi shprehjet e pendesës së z. Gucati, në veçanti, veçanërisht faljen, gjatë seancës gojore, që ai shprehimisht u kërkoi të gjithë atyre që mund të ishin ndier të kërcënuar nga veprimet e ti. Gjithashtu kryetarja vuri në dukje zotimin e vendosur të z. Gucati se nuk do të përfshihej në veprime të tjera që mund të karakterizoheshin si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe se do t’i përmbushë të gjithë kushtet e përcaktuara për lirimin e tij”, thuhet në komunikatën për media.

Po ashtu, kryetarja e DHSK-së ka theksuar se në qoftë se Gucati nuk përmbush cilindo prej kushteve të përcaktuara në vendim, atëherë vendimi do të anulohet.

Ndër kushtet për lirimin e tij, Gucati ka pohuar se ai nuk ka synim aktual të rifillojë ndonjë rol në kuadër të Shoqatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se ai nuk ka ndërmend të kërkojë vëmendjen e mediave në lidhje me kundërshtimin e Dhomës së Specializuar ose kohën e tij në paraburgim.

Vendimi i kryetares, i cili është vendimi i parë në lidhje me ulje, modifikim ose ndryshim të vendimit, mund të lexohet këtu në faqen e DHSK-së.

Shija e redaktorit

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Kosova pret Austrinë në “Fadil Vokrri”, synon fitoren për kreun...

Përfaqësuesja e Kosovës përballet sonte me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit B3 në Ligën e Kombeve....

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Të fundit nga rubrika