Afër 50 viktima nga tërmetet e fuqishme në Japoni

Një seri tërmetesh të fuqishme ka goditur perëndimin e Japonisë, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 48 personave dhe dëmtime të konsiderueshme në infrastrukturë. Ky fenomen natyror, i filluar më 1 janar, përfshiu një tërmet të madh prej 7.6 ballësh dhe shumë dridhje të tjera pasuese. Prefektura e Ishikavas dhe zonat përreth janë më të prekurat, me mijëra shtëpi të shkatërruara dhe dëme të papërcaktuara në ndërtesa, makina dhe anije

Shkatërrimet në qytetin Suzu në Ishikava të Japonisë. 2 janar 2024.

Një sërë tërmetesh të fuqishme që goditën perëndimin e Japonisë kanë lënë të paktën 48 persona të vdekur dhe kanë dëmtuar mijëra ndërtesa, makina dhe anije, thanë zyrtarët.

Autoritetet në Japoni më 2 janar u bënë thirrje njerëzve në disa zona që të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të rrezikut se vendi mund të goditet nga tërmete të tjera të fuqishme.

Dridhjet pasuese të tokës kanë goditur prefekturën e Ishikavas dhe zonave përreth një ditë pasi një tërmet i fuqishëm prej 7.6 ballësh goditi këtë zonë.

Dyzet e tetë persona janë konfirmuar të vdekur në Ishikava, thanë zyrtarët. Gjashtëmbëdhjetë të tjerë janë të plagosur seriozisht, ndërkaq sipas zyrtarëve, dëmi në shtëpi është aq i madh, sa nuk mund të vlerësohet tani.

Mediat japoneze thanë se mijëra shtëpi janë shkatërruar. Zëdhënësi i Qeverisë, Yoshimasa Hayashi, tha se 17 persona kanë pësuar lëndime serioze, por ekzekutivi dha numër pak më të ulët të viktimave, duke shtuar se është në dijeni për shifrat e paraqitura nga prefektura e Ishikavas.

Në disa zona nuk ka ujë, energji dhe as shërbime të telefonisë.

Ushtria japoneze ka dislokuar 1.000 ushtarë në zonën e fatkeqësisë për t’iu bashkuar përpjekjeve të shpëtimit, tha të martën kryeministri Fumio Kishida.

“Shpëtimi i jetës është prioriteti ynë dhe ne jemi në betejë me kohën. Është thelbësore që personat e bllokuar në shtëpitë e tyre të shpëtohen menjëherë”, tha ai.

Në kohën kur Kishida po i adresohej mediave, një tërmet prej 5.6 ballësh goditi zonën e Ishikavas.

Agjencitë që mbikëqyrin disa centrale bërthamore në rajon thanë se ato po punojnë normalisht. Një tërmet i fuqishëm, i pasuar nga një cunami në marsin e vitit 2011, shkaktoi shtrirje e tre reaktorëve dhe lirimin e një sasie të madhe të rrezatimit në një central bërthamor në verilindje të Japonisë.

Të hënën, Agjencia Meteorologjike e Japonisë lëshoi paralajmërime për cunami në Ishikava dhe për nivele më të ulëta të cunamit në pjesën tjetër të bregdetit perëndimor të Japonisë.

Paralajmërimet për cunami u tërhoqën disa orë më vonë, përderisa valët e detit në disa zona arritën deri në një metër.

Banorët e zonës janë evakuuar nga shtëpitë e tyre dhe janë strehuar në shkolla dhe qendra të komunitetit.

Sipas parashikimeve të motit, Japonia do të përballet me reshje shiu, që ka rritur shqetësimet për ndërtesat veçse të dëmtuara, shkruan REL.

Presidenti amerikan, Joe Biden, përmes një deklarate tha se administrata e tij është “e gatshme të ofrojë çfarëdo ndihme të nevojshme për popullin japonez”.

Japonia shpesh goditet nga tërmetet sepse gjendet përgjatë asaj që njihet si “Unaza e Zjarrit”, që është një hark vullkanesh dhe pllakash tektonike në Pellgun e Paqësorit.

Që nga 1 janari – kur ndodhi tërmeti i fuqishëm prej 7.6 shkallësh të Rihterit – Japonia është goditur nga rreth 100 dridhje të tjera pasuese të tokës.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika