Vëllai i Liridona Ademajt i takon fëmijët e motrës së ndjerë

Leonard Ademaj, pas një kohe të gjatë i ka takuar fëmijët e motrës së ndjerë, Liridonës

Vëllai i Liridona Ademaj ka njoftuar se është takuar pas një kohe të gjatë me dy djemtë e motrës së ndjerë, Liridonës.

Kështu ka bërë të ditur Leonardi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Sot i takova nipat Dionin dhe Diarin, fëmijët e Liridonës tonë, pas disa muajsh dhe pas një ngjarje tragjike që do t’i përcjellë tërë jetën”, ka shkruar Leonardi.

Leonardi shtoi se “Ata e patën vetëm një kërkesë: a mundemi me ardhë në Kosovë me dërgu lule te varri i nanes?”.

 

 

 

Liridona Ademaj, 30-vjeçare, është vrarë të mërkurën më 29 nëntor në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës.

Fillimisht, Policia e Kosovës e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

Dy ditë më vonë, më 1 dhjetor, Policia ka njoftuar për arrestimin e dy personave: dorasin G.P dhe N.M, bashkëshortin e viktimës, të dyshuar për vrasjen e saj.

Mediet lokale në Kosovë e kanë identifikuar bashkëshortin Naim Murseli.

Pak orë më vonë, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka konfirmuar se në mesin e të arrestuarve për këtë rast, si i dyshuar, është edhe K.K, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Betimi për Drejtësi – medium i specializuar në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë – ka raportuar, bazuar në burime se i dyshuari Naim Murseli e ka pranuar para hetuesve se e ka porositur vrasjen për bashkëshorten e tij.

“Burime të ‘Betimi për Drejtësi’ bëjnë të ditur se i dyshuari Murseli ia kishte dhënë të dyshuarit G.P., 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës”, është thënë në raportimin e këtij mediumi.

Autoritetet e drejtësisë ende nuk e kanë bërë të ditur motivin e kësaj vrasjeje.

Policia e Kosovës ka thënë se ka kryer bastisje në Gjakovë dhe ka arritur të sekuestrojë armën, me të cilën dyshohet të jetë kryer vrasja.

Rasti i vrasjes së 30-vjeçares është dënuar rëndë në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur vrasjen si “krim monstruoz që duhet të marrë dënimin e merituar”.

“Ky krim i tmerrshëm kërkon veprim të shpejtë dhe vendimtar për t’u siguruar që drejtësia të mbizotërojë dhe që autorët ta marrin dënimin, i cili pasqyron peshën e kësaj vepre makabre penale”, ka thënë ajo përmes një postimi në Facebook.

“Ky krim nuk do të mbetet pa u ndëshkuar. Kriminelët do të përballen me drejtësinë”, ka thënë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Shija e redaktorit

Zgjedhjet lokale, nesër intervistohen mbi 50 mijë qytetarë për Exit...

Zgjedhjet lokale që do të mbahen nesër në 38 komunat e vendit do të shënojnë një rekord historik sa i përket Exit Poll-eve. Në kuadër...

Debati për Prishtinën, paratë e mbledhura nga mesazhet në Debat...

Mbrëmë studio e Debat Plus ishte nikoqire e debatit më të madh e vendimtar në kuadër të garës për zgjedhjet lokale në Prishtinë. Kundër kandidatët...

Mijëra dronë “Skydagger” mbërrijnë në Prishtinë, njofton Kurti: FSK po...

Kontejnerë që mbajnë mijëra dronë luftarakë kamikazë të markës Skydagger mbërritën sot në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, njoftoi kryeministri në detyrë Albin Kurti. Sipas Kurtit,...

Të fundit nga rubrika