Këtë të enjte(sot), me fillim nga ora 10:30, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish në përpjekjen e 16-të për ta konstituar legjislaturën e re.
Njoftimi për mbajtjen e seancës është dhënë nga Kuvendi, ndërkohë që kjo tentativë vjen pas 15 dështimeve radhazi për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit.
Në seancat e mëparshme, kandidatura e Albulena Haxhiut nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të sigurojë 61 votat e nevojshme, ndërsa edhe propozimi për krijimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë është refuzuar shtatë herë me radhë.
Pasdite, zhvillimet politike do të vijojnë në Presidencë.
Nga ora 13:00, presidentja Vjosa Osmani do të takojë krerët e subjekteve të mëdha parlamentare për të diskutuar rreth ngërçit institucional. Ndërkaq, nga ora 15:00, ajo do të presë përfaqësuesit e partive të komuniteteve joshumicë.
Kjo lëvizje vjen një ditë pasi Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e votimit të fshehtë për kryetarin e Kuvendit, duke shtuar edhe më tej tensionet për mënyrën se si duhet të zgjidhet krerët e institucionit ligjvënës.
Përbërja e re e Kuvendit, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, mbetet ende e pakonstituuar.