Një vrasje me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në fshatin Llapashticë të Podujevës.
Rastin e ka konfirmuar mbrëmë zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
‘‘Sot rreth orës 19:30, kemi marrë informatën për të shtëna me armë në fshatin Llapashticë të Podujevës. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore, ku kanë hasë në një person pa shenja jete. Vdekjen e viktimës mashkull e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Aktualisht, hetuesit policorë, në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë nisur hetim për ndriçimin, sqarimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë rast’’, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Mes të tjerash, Ahmeti ka deklaruar se hetimet kanë filluar në përpjekje për zbardhjen e plotë të rastit.
Në ndërkohë, sipas mediave lokale, viktima është Bashkim Spahiu nga fshati Gllamnik, i cili raportohet se është vrarë me 10 plumba në veturën e tij.