Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas deklaratave të Presidentes Vjosa Osmani në konferencën e së enjtes, ku ajo i lidhi “disa gazetarë” me “Radoiçiqët” dhe me “grusht-shtet”.
AGK e ka cilësuar këtë retorikë si thellësisht të papërgjegjshme dhe ka paralajmëruar se ajo rrezikon drejtpërdrejt sigurinë fizike të gazetarëve.
“AGK-ja e dënon ashpër retorikën akuzuese dhe nxitëse të Presidentes Osmani gjatë konferencës për shtyp, pasi që ajo rrezikon direkt sigurinë fizike të gazetarëve,” thuhet në reagim.
AGK-ja ka shtuar se referencat e Presidentes ndaj raporteve të AKI-së për të mbështetur akuzat e saj për disa gazetarë vënë në pikëpyetje sigurinë juridike jo vetëm të gazetarëve, por edhe të secilit qytetar të Kosovës.
AGK ka ftuar organet e sigurisë të deklarohen për akuzat që i quan të rënda dhe që sipas saj shërbejnë si intimidim i hapur ndaj gazetarëve.
Po ashtu, AGK i ka bërë thirrje Presidentes që të heqë dorë nga praktika jodemokratike e sulmeve ndaj gazetarëve dhe mediave, duke e ftuar që të luajë rolin e saj kushtetues për garantimin e lirisë së medias dhe të shprehjes.