Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas ngjarjes tragjike në Gjykatën e Tiranës, ku gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën pasi u qëllua me armë. Përmes një postimi në rrjete sociale, Rama ka shprehur ngushëllime për familjen e të ndjerit, duke e cilësuar aktin si një agresion kriminal që kërkon dënimin më të ashpër të mundshëm.
“Ngushëllime vëllazërore familjes së gjykatësit të ndjerë Astrit Kalaja dhe u prehtë në paqe. Agresioni kriminal mbi gjykatësin kërkon padyshim përgjigjen më ekstreme ligjore ndaj agresorit”, ka shkruar Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare ka kërkuar gjithashtu reflektim të thellë mbi sistemin e sigurisë në gjykata, duke theksuar se siguria e gjyqtarëve nuk mund të mbetet në dorë të kompanive private nën justifikimin e pavarësisë së gjyqësorit.
“Kjo tragjedi kërkon një reflektim për sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave, e cila përveçse sipas ligjit kërkon disa pajisje teknologjike, nuk mund të mbetet një çështje zgjedhjeje mes policish private në emër të pavarësisë së gjyqësorit!”.
Rama shtoi se kjo ngjarje duhet të shërbejë si argument për ashpërsimin e Kodit Penal, duke kërkuar dënime më të rënda për armëmbajtjen pa leje dhe eliminimin e çdo tolerimi në këtë drejtim.
“Kjo ngjarje tragjike besoj se është argumenti më i pakundërshtueshëm, për të mbështetur ashpërsimin domethënës në Kodin Penal të dënimit për armëmbajtjen pa leje dhe ngushtuar maksimalisht hapësirën për lojëra me afatet në dëm të mbrojtjes prej zjarrit të armëve të paligjshme”, ka theksuar ai.
Në fund, Rama ka apeluar për reflektim të sistemit gjyqësor mbi mënyrën se si trajtohen rastet e armëmbajtjes pa leje, duke theksuar se lehtësia në vendimmarrje ka sjellë pasoja të rënda për sigurinë publike.
“Lutem gjithashtu që ky moment kaq tronditës të nxisë edhe një reflektim për lehtësinë me të cilën trajtohet rëndom armëmbajtja pa leje në proceset gjyqësore”, ka përfunduar Rama raporton EN përcjell Dukagjini.