Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Vetëvendosjes dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili kërkoi hetim nga “organet e drejtësisë dhe sigurisë” pas publikimit të exit polleve nga tri televizione për zgjedhjet lokale.
AGK-ja e cilëson këtë deklaratë si shumë të rrezikshme, duke theksuar se një thirrje e tillë për hetim përbën sulm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias.
Në reagimin e saj, AGK-ja ka theksuar se mediat kanë respektuar plotësisht Ligjin për Zgjedhjet dhe rregulloren e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), pasi asnjë exit poll nuk është publikuar para orës 19:00, kur janë mbyllur qendrat e votimit.
AGK rikujton se exit pollet kanë pasur gabime edhe në demokracitë më të zhvilluara, përfshirë SHBA-në në vitin 2016, dhe thekson se nuk mund të jenë arsye për hetim penal apo institucional.
“AGK-ja i vlerëson si shumë të rrezikshme thirrjet e Kurtit për hetime pas publikimit të këtyre Exit Polleve, pasi që ato përbëjnë sulm të hapur ndaj lirisë së medias. Exit Pollet kanë histori të gabimeve edhe në shumë vende të tjera demokratike, duke përfshirë SHBA-të në vitin 2016”, thuhet nga AGK-ja.
AGK-ja e fton Kurtin dhe partinë e tij që të mos ndërhyjë dhe të mos bëjnë presion ndaj mediave gjatë punës së tyre për mbulimin e zgjedhjeve.