Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka njoftuar se është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve të personave me nevoja të veçanta, të cilët kanë votuar në ditën e zgjedhjeve përmes ekipeve mobile jashtë vendvotimeve.
Sipas KQZ-së, numërimi është përfunduar të mërkurën mbrëma në ora 20:30 në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Sipas rezultateve, në garën për Prishtinën me votat e personave me nevoja të veçanta prin Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me kandidat Përparim Ramën me 32.04% të votave, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me Uran Ismailin që ka 28.18%, ndërsa kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Hajrulla Çeku, ka 27.62%.
Rezultatet nga ky proces janë publikuar në platformën zyrtare të rezultateve të KQZ-së resultslocal2025.kqz-ks.org, në rubrikën “Rezultatet QNR – Nevoja të veçanta (VPNV)”.