Izraeli përdori municione thërrmuese të ndaluara gjerësisht në Liban

Mbetjet e gjetura të një municioni thërmues tregojnë një fjongo të bardhë najloni, të përdorur për të stabilizuar dhe rrotulluar nënmunicionet.

Izraeli ka përdorur municione thërrmuese gjatë luftës së fundit 13-mujore në Liban, sipas fotografive të mbetjeve të municioneve të siguruara nga “The Guardian”.

Imazhet, të analizuara nga gjashtë ekspertë të armëve, tregojnë dy lloje të ndryshme municionesh thërrmuese apo kasetore të prodhuara nga Izraeli, të gjetura në tre lokacione në jug të lumit Litani – në Wadi Zibqin, Wadi Barghouz dhe Wadi Deir Siryan.

Kjo është prova e parë që Izraeli ka përdorur municione kasetore që nga lufta e vitit 2006, si dhe hera e parë që raportohet përdorimi i dy modeleve të reja: predha 155 mm M999 Barak Eitan dhe raketa e guiduar 227 mm Ra’am Eitan.

Municionet kasetore janë bomba që lëshojnë dhjetëra nënbomba të vogla (“bomblete”) në një zonë të gjerë. Deri në 40% e tyre nuk shpërthejnë në momentin e rënies, duke lënë pas rrezik për civilët për vite me radhë. Për këtë arsye, përdorimi i tyre është i ndaluar nga 124 shtete që i janë bashkuar Konventës për Municionet Kasetore. Izraeli nuk është palë e kësaj konvente.

“Të gjitha ushtritë që i përdorin bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare humanitare, pasi efektet e tyre janë të pakontrollueshme”, tha Tamar Gabelnick, drejtoreshë e Koalicionit për Municionet Kasetore.

Ushtria izraelite nuk e konfirmoi dhe as e mohoi përdorimin e tyre, duke deklaruar se përdor “vetëm armë të ligjshme, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe duke minimizuar dëmet ndaj civilëve”.

Lufta Izrael–Hezbollah, e nisur në tetor 2023, la rreth 4,000 të vrarë në Liban dhe rreth 120 në Izrael. Pjesa jugore e Libanit mbetet e shkatërruar dhe Izraeli vazhdon goditjet ajrore pothuajse çdo ditë, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit.

Libani ka histori të dhimbshme me municionet kasetore: Izraeli hodhi rreth 4 milionë të tilla në ditët e fundit të luftës së vitit 2006, prej të cilave rreth 1 milion nuk shpërthyen. Që atëherë, mbi 400 persona janë vrarë nga nënbombat e pashpërthyera.

Fotografitë e predhës së parë, M999 Barak Eitan, të prodhuar nga kompania Elbit Systems në vitin 2019, u verifikuan nga gjashtë ekspertë, mes tyre Brian Castner i Amnesty International dhe NR Jenzen-Jones nga Armament Research Services. Çdo predhë M999 lëshon nëntë nënmunicione që shpërndajnë rreth 1,200 copa tungsteni.

Ekspertët identifikuan edhe mbetje të municionit të dytë si bombë kasetore. Dy analistë e konfirmuan se bëhet fjalë për raketën e guiduar Ra’am Eitan 227 mm, e prodhuar në vitin 2017. Mediat izraelite e përshkruajnë këtë municion si raketë me 64 bomblete që “shpërndahen në një rreze të madhe dhe vrasin çdo objektiv brenda saj”. Sipas një njoftimi të IDF, trupat izraelite në kufirin verior ishin pajisur me këtë raketë në fillim të vitit 2024.

Ligjshmëria e përdorimit të municioneve kasetore nga shtetet jo-nënshkruese varet nga konteksti i përdorimit dhe synimet gjatë goditjes. “The Guardian” nuk ka informacion për sulmet specifike ku u përdorën këto municione, pasi mbetjet u gjetën më vonë.

Mbetjet u identifikuan në zona të pyllëzuara ku Izraeli pretendon se Hezbollah strehohej nga sulmet ajrore dhe dronët e mbikëqyrjes. Municionet kasetore janë përdorur shpesh në terrene të ngjashme – si në Vietnam, ku SHBA i hodhi kundër trupave të shpërndara në xhungla.

Izraeli pretendon se modelet e reja kanë shkallë shumë të ulët të dështimit – madje deri në 0.01% për Ra’am Eitan – për të shmangur skandalet e mëparshme të vitit 2006, kur miliona nënbomba mbetën të pashpërthyera dhe shkaktuan reagim ndërkombëtar.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani dekoron Harry Bajraktarin me “Urdhrin e Lirisë”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar sot Harry Bajraktarin me “Urdhrin e Lirisë”, si vlerësim për kontributin e tij mbi tri dekada për...

Shqipëria hap kapitujt e fundit të negociatave për anëtarësim në...

Shqipëria ka hapur sot kapitujt e fundit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke përfshirë bujqësinë, sigurinë ushqimore, peshkimin, politikën rajonale dhe dispozitat...

Shqipëria hap grupkapitullin e fundit të negociatave në Bruksel

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot në Bruksel do të marr pjesë në Konferencën e 7-të Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Evropian, gjatë së cilës do të...

Të fundit nga rubrika