Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Gazmend Syla, ka bërë të ditur se protesta e radhës në përkrahje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së që po gjykohen në Dhomat e Specializuara në Hagë, do të zhvillohet më 13 dhjetor, në sheshin “Skënderbeu” në Shkup.
Përmes një konference për media, Syla tha se mbajtja e kësaj proteste është koordinuar edhe me liderin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, si dhe me bashkëluftëtarë të ish-UÇK-së dhe ish-luftëtarëve të 2001-shit në këtë shtet.
“Data e kësaj proteste është caktuar e ajo është më 13 dhjetor në orën 13:00 në sheshin ‘Skënderbeu’, në Shkup kundër padrejtësisë që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë. Fillimisht ju njoftojmë që ne si kategori e dala nga lufta së bashku me një kategori të personave të dala nga lufta në Maqedoninë e Veriut jemi dakorduar për mbajtjen e kësaj proteste. Kemi marrë mbështetjen edhe të Ali Ahmetit me të bashkëluftëtarët që i kemi atje”, ka thënë Syla.
Ai shtoi se pavarësisht se kanë dorëzuar kërkesën për shfrytëzimin e hapësirës publike tek autoritetet kompetente të Shkupit, ende nuk kanë marrë një përgjigje zyrtare për lejen e protestës.
Megjithatë, Syla u shpreh se protesta do të mbahet pavarësisht vonesave institucionale.
I pyetur për deklaratat e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, Syla tha se nuk i kanë bërë ftesë atij për të marrë pjesë në protestë.
