Një gjest i rrallë ndershmërie është shënuar sot në Ferizaj, rreth orës 16:00, qytetari A. Rexhepi (32 vjeç) nga Ferizaj, ka gjetur një portofol me para dhe dokumente personale në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, përkatësisht në parkingun e “Viva Fresh Store”.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, Rexhepi portofolin e gjetur e ka dorëzuar menjëherë në Stacionin Policor në Ferizaj.
Në portofol ndodheshin 1,133.50 euro, 10 franga zvicerane, 5 dollarë amerikanë, si dhe dokumente personale në emër të B. Ç. (29 vjeçe).
Pas identifikimit, pronarja është kontaktuar nga policia dhe është paraqitur në stacionin policor në Ferizaj, ku i është kthyer portofoli me të gjitha paratë dhe dokumentet.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka falënderuar qytetarin A. Rexhepi për gjestin e tij human dhe shembullor, duke vlerësuar lart ndershmërinë dhe përgjegjësinë qytetare të treguar.