“Evropa nuk do të shantazhohet”, thotë kryeministrja daneze pas kërcënimeve të Trumpit për Grenlandën

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka deklaruar se “Evropa nuk do të shantazhohet”, ndërsa liderët evropianë po shqyrtojnë reagimin ndaj kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave tregtare lidhur me Grenlandën.

Trump ka paralajmëruar se në muajin shkurt do të vendosë tarifa ndaj tetë aleatëve të SHBA-së – Danimarkës, Finlandës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Norvegjisë, Suedisë dhe Mbretërisë së Bashkuar – nëse ata kundërshtojnë planin e tij për marrjen nën kontroll të Grenlandës, territor autonom i Danimarkës.

Presidenti amerikan këmbëngul se Grenlanda është jetike për sigurinë e SHBA-së dhe nuk ka përjashtuar as përdorimin e forcës për ta marrë atë, gjë që ka shkaktuar reagime të ashpra në Evropë.

Shtetet e kërcënuara kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, ku paralajmërojnë se plani i Trumpit rrezikon të çojë në një “spiralë të rrezikshme përshkallëzimi”.

“Kërcënimet me tarifa dëmtojnë marrëdhëniet transatlantike”, thuhet në deklaratë, ku theksohet se vendet nënshkruese “qëndrojnë plotësisht solidare me Mbretërinë e Danimarkës dhe popullin e Grenlandës”.

Ato theksuan gjithashtu se janë të përkushtuara për forcimin e sigurisë në Arktik si interes i përbashkët transatlantik, si pjesë e aleancës së NATO-s, duke shtuar se janë të gatshme për dialog, por vetëm duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial.

Në një postim në Facebook, Frederiksen shkroi se Danimarka dëshiron bashkëpunim dhe jo konflikt, duke shtuar:
“Jam e lumtur për mesazhet e qarta nga pjesa tjetër e kontinentit: Europa nuk do të shantazhohet. Është edhe më e rëndësishme të qëndrojmë të fortë mbi vlerat themelore që krijuan komunitetin evropian.”

Ndërkohë, kryeministri britanik Keir Starmer ka zhvilluar biseda telefonike me Frederiksen, presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, përpara se të fliste edhe me Trumpin.

Zyra e Starmer bëri të ditur se ai ka theksuar se siguria e Grenlandës është prioritet për të gjithë anëtarët e NATO-s, duke shtuar se vendosja e tarifave ndaj aleatëve për shkak të sigurisë kolektive është e gabuar.

Trump ka kërcënuar me vendosjen e një tarife fillestare prej 10% ndaj këtyre vendeve nga 1 shkurti, e cila mund të rritet deri në 25% dhe të mbetet në fuqi deri në arritjen e një marrëveshjeje.

Grenlanda, megjithëse ka popullsi të vogël, është e pasur me burime natyrore dhe ka një pozicion strategjik mes Amerikës së Veriut dhe Arktikut, duke qenë e rëndësishme për sistemet e paralajmërimit të hershëm ndaj sulmeve raketore dhe monitorimin e lëvizjeve detare.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka deklaruar se Grenlanda “mund të mbrohet vetëm nëse është pjesë e SHBA-së”, deklaratë që ka nxitur edhe më shumë reagime kritike në Evropë./BBC

Shija e redaktorit

INTERVISTË| Armend Mehaj: Kosova sot është fuqi ushtarake reale –...

Ish-ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj, ka dhënë një intervistë ekskluzive për RTV Dukagjini, e cila njëherësh shënon edhe intervistën e...

RTV Dukagjini ju uron Vitin e Ri 2026!

Me rastin e ndërrimit të motmoteve dhe hyrjes në Vitin e Ri 2026, RTV Dukagjini u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve...

Prishtina feston me muzikë e fishekzjarrë, qytetarët tregojnë pritjet për...

Festa për pritjen e vitit të ri në sheshet e kryeqytetit ka nisur nga ora 18 e do të vazhdojë deri në orët e...

Të fundit nga rubrika