Senatorja amerikane Jeanne Shaheen reagoi ndaj vizitës së Milorad Dodik në Uashington dhe bëri thirrje për rivendosjen e sanksioneve.
“Administrata e Donald Trump duhet të turpërohet për vendimin e saj për të hequr sanksionet e SHBA-së tetorin e kaluar ndaj (ish-liderit të Republika Srpska, Milorad Dodik. Z. Dodik përdor retorikë separatiste dhe minon integritetin e Marrëveshjes së Paqes së Daytonit, gjë që është në kundërshtim të plotë me justifikimin e Administratës për heqjen e Dodik dhe bashkëpunëtorëve të tij nga lista e sanksioneve në fund të vitit të kaluar”, deklaroi senatorja Shaheen.
Seantorja amerikane shtoi se vizita e Dodik në Uashington tregoi qartë se ai nuk është i interesuar të vendosë interesat e të gjithë qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës para interesave të tij politike.
“Administrata e Donald Trump duhet urgjentisht të rivendosë sanksionet ndaj z. Dodik, në përputhje me sanksionet e detyrueshme që sigurova në Aktin e fundit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare”, dekalroi Shaheen në një deklaratë.
Administrata amerikane vendosi sanksione ndaj Dodikut në vitin 2017, për shkak të veprimeve që u konsideruan si kërcënim për stabilitetin e Bosnje dhe Hercegovinës dhe si shkelje e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit.
Kujtojmë se më 29 tetor 2025, Ministria e Financave dhe Thesari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (OFAC) mori vendim për të hequr sanksionet për Milorad Dodik dhe shumë persona të tjerë nga entiteti Republika Srpska./KP
