Reshjet ekstreme të borës marrin dhjetëra jetë njerëzish në Japoni

Dhjetëra persona kanë humbur jetën në Japoni si pasojë e reshjeve rekord të borës që kanë mbuluar rajonet veriore të vendit, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se rritja e temperaturave mund të sjellë rreziqe të reja dhe aksidente të tjera.

Sipas autoriteteve japoneze, që nga 20 janari janë shënuar të paktën 35 viktima nga incidente të lidhura me borën në mbarë vendin, ndërsa rreth 400 persona janë lënduar, 126 prej tyre rëndë. Shumica e viktimave kanë humbur jetën pasi kanë rrëshqitur ose kanë rënë gjatë pastrimit të borës nga çatitë apo ambientet përreth shtëpive të tyre, shkruan The Guardian, transmeton Dukagjini.

Kushtet e rrezikshme kanë prekur edhe shtetas të huaj.

Të mërkurën, një 27-vjeçar nga Melburni i Australisë, Michael Hurst, humbi jetën pasi u rrëzua gjatë skijimit në resortin Niseko, në ishullin verior të Hokkaidos, ku edhe punonte.

Vdekja e tij erdhi vetëm pak ditë pasi një 22-vjeçare nga Queenslandi, Brooke Day, vdiq në një resort skijimi në prefekturën Nagano, pasi çanta e shpinës iu kap në ashensorin e skive dhe ajo mbeti e varur në ajër.

Shumica e incidenteve të raportuara gjatë dy javëve të fundit kanë ndodhur në zonat pranë Detit të Japonisë, të cilat po përballen me reshje jashtëzakonisht të dendura bore, të shkaktuara nga masa ajrore të ftohta që vijnë nga Arktiku.

Këtë dimër, situata ka shkaktuar kaos në 15 nga 47 prefekturat e Japonisë, me trashësi bore që në disa zona ka arritur deri në dy metra. Si pasojë, mbi 1,700 shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike në prefekturën Aomori, ndërsa janë anuluar linja të trenave lokalë dhe atyre me shpejtësi të lartë.

Guvernatori i Aomorit, Soichiro Miyashita, ka deklaruar se automjetet emergjente po hasin vështirësi serioze për të arritur te personat në nevojë, duke detyruar ekipet e shpëtimit që në disa raste të lëvizin në këmbë, duke bartur barela.

“Presim që disa rrugë të bllokohen plotësisht, prandaj jemi në koordinim me shërbimet emergjente për të siguruar qasje për ambulanca dhe zjarrfikës,” ka thënë Miyashita.

Vetëm në prefekturën Niigata janë raportuar 12 vdekje të lidhura me borën, përfshirë një burrë që u gjet i rrëzuar në çatinë e shtëpisë së tij dhe një 70-vjeçar që dyshohet se ka humbur jetën pasi ra nga çatia gjatë pastrimit të borës.

Megjithëse në disa zona parashikohen reshje të tjera bore gjatë fundjavës, autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, pasi shkrirja e borës rrit rrezikun e ortekëve dhe e bën terrenin jashtëzakonisht të rrëshqitshëm.

Zëdhënësi kryesor i qeverisë japoneze, Minoru Kihara, ka apeluar për masa sigurie, duke këshilluar përdorimin e helmetave dhe litarëve mbrojtës gjatë pastrimit të borës.

Sipas të dhënave zyrtare, aksidentet dhe vdekjet nga bora nuk janë të rralla në Japoni – vetëm vitin e kaluar, 68 persona humbën jetën gjatë një periudhe gjashtëmujore dimërore.

Shija e redaktorit

E jashtëzakonshmja Distria Krasniqi, ia sjell Kosovës medaljen e artë...

Xhudistja Distria Krasniqi e ka fituar të artën në Grand Slam të Parisit në kategorinë deri në 52 kilogramë. Krasniqi kishte një rrugëtim të gjatë...

Promovohet libri i ri i Luan Tashit mbi Ali Pashë...

Më 5 shkurt (e enjte), në orën 18:30, në Librarinë Dukagjini, në sheshin “Nënë Tereza”, do të promovohet libri më i ri i studiuesit...

Prestigjiozja Forbes: Dukagjini Resort, projekti i parë luksoz në veri...

Revista prestigjioze Forbes shkruan se në bregdetin verior të Shqipërisë, po ngrihet Dukagjini Resort—projekti i parë luksoz në veri që sjell standarde ndërkombëtare dhe...

Të fundit nga rubrika