Tash e tre vite, sindikatës së ndërmarrjes “Prishtina Parking” nuk po u plotësohen kërkesat e tyre për rritje page dhe shujta.
Në një protestë të sindikatës, ata shprehën pakënaqësitë e tyre ndaj menaxhmentit të kësaj ndërmarrjeje për mos plotësim të kushteve. Një shqetësim tjetër i tyre ishte edhe sigurimi shëndetësor, për të cilin po ndahen paratë nga paga dhe nuk po paguhet.
Kryetari i Sindikatës së ndërmarrjes “Prishtina Parking”, Flamur Hajdari tha se si përgjigje nga ana e tyre është se ndërmarrja është në krizë financiare.
Ndërsa, anëtari i kryesisë se sindikatës, Safet Zuka tha se pas protestës një orëshe do të vazhdojnë përsëri punën.
E sekretari i sindikatës, Drilon Dugolli shprehi shqetësimin për sigurimet shëndetësore.
Dugolli bëri të ditur se kanë kërkuar edhe nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama për një takim porse nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.
Ata paralajmëruan edhe një protestë dhe nëse nuk ftohen në takim thanë se do të hynë në grevë./KP