Çmimi mesatar i benzinës në pompë ka tejkaluar 4 dollarë në SHBA për herë të parë në gati katër vjet, teksa lufta në Iran po ndikon drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të karburantit.
Sipas organizatës së automobilave AAA, çmimi mesatar kombëtar për një gallon benzinë ka arritur në 4.02 dollarë, mbi një dollar më shumë krahasuar me periudhën kur nisi konflikti.
Ndërkohë, çmimi i naftës (diesel) është rritur për rreth 1.70 dollarë.
Një nga arsyet kryesore të kësaj rritjeje është mbyllja efektive e Ngushticës së Hormuzit gjatë muajit të fundit, një rrugë kyçe për transportin global të energjisë. Si pasojë, prodhimi dhe transporti i energjisë nga Lindja e Mesme janë ngadalësuar ndjeshëm ose janë ndërprerë.
Kjo situatë ka shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimit të naftës bruto, një komponent thelbësor për prodhimin e benzinës dhe dieselit.
Para fillimit të konfliktit më 28 shkurt, çmimi mesatar i benzinës në SHBA ishte rreth 2.98 dollarë për gallon, ndërsa ai i dieselit ishte 3.76 dollarë. Aktualisht, diesel arrin në mesatarisht 5.45 dollarë për gallon.
Përveç rritjes së çmimeve të naftës bruto, AAA thekson se kërkesa e lartë gjatë sezonit të pushimeve pranverore ka ndikuar gjithashtu në shtrenjtimin e karburanteve, raporton BBC.
Megjithatë, çmimet aktuale mbeten ende nën nivelet rekord të qershorit 2022, kur benzina arriti në 5.01 dollarë dhe diesel në 5.81 dollarë për gallon, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Rritja e çmimeve të energjisë po reflektohet jo vetëm në SHBA, por edhe globalisht. Në Mbretërinë e Bashkuar, çmimet e benzinës janë rritur me 14%, ndërsa ato të dieselit me 27% që nga fillimi i konfliktit.
Disa shtete si Sri Lanka dhe Bangladesh kanë vendosur kufizime në furnizimin me karburant, ndërsa Sllovenia është bërë vendi i parë në Bashkimin Evropian që ka ndërmarrë një hap të tillë.