Një person që është larguar nga Irani për arsye sigurie ka deklaruar se konflikti në vend “po shndërrohet në një makth”.
Sipas tij, shumë iranianë kanë filluar të humbasin shpresën se lufta do të sjellë përfitime për ta, veçanërisht nëse presidenti amerikan, Donald Trump, vendos të godasë infrastrukturën civile, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
“Do ta humbasim infrastrukturën tonë, ndërsa ata (Garda Revolucionare Islamike) do të mbeten në pushtet”, është shprehur ai.
Ky person, i cili kishte qenë i pranishëm gjatë protestave të përgjakshme më herët këtë vit, kujton se “në rrugë ndihej era e gjakut”, duke përshkruar situatën e rëndë në atë periudhë.
Ai paralajmëroi se çdo regjim i ri mund të jetë “100 herë më i keq” dhe shtoi se sulmet e mëtejshme nga Shtetet e Bashkuara vetëm sa do ta bënin regjimin më “të zemëruar” dhe “më gjakatar”.
Personi në fjalë u largua nga Irani dy javë më parë për sigurinë e familjes së tij dhe foli në kushte anonimiteti. Megjithatë, ai shpreson të kthehet, duke theksuar se ky është edhe qëndrimi i shumë iranianëve të tjerë me të cilët është në kontakt.
“Shumica e iranianëve nuk duan të largohen. Ne duam të qëndrojmë dhe ta rimarrim vendin dhe shtetin tonë”, u shpreh ai.
Duke komentuar rrëzimin e një avioni luftarak amerikan mbi Iran gjatë ditës së sotme, ai shtoi se “të gjithë po luten për ushtarët amerikanë”.