Presidenti amerikan Donald Trump ka nominuar gjenerallejtënantin në pension të Ushtrisë Amerikane Eric Wendt për ambasador të ri të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë.
Nëse konfirmohet nga Senati, Wendt do të zëvendësojë ish-ambasadoren Yuri Kim, e cila u largua nga Shqipëria në vitin 2023. Më herët, emërimi i diplomatit David Kostelancik nuk kishte kaluar procedurat e konfirmimit.
Wendt është oficer i karrierës, me mbi tre dekada shërbim në ushtrinë amerikane që nga viti 1986. Ai ka qenë i angazhuar në misione dhe koordinime ndërkombëtare, përfshirë proceset Izrael–Autoriteti Palestinez, si dhe operacione në Afganistan dhe Korenë e Jugut.
Në vitin 2020, ai ishte nominuar edhe për ambasador në Katar, por emërimi i tij nuk u konfirmua për shkak të vonesave në Kongres, duke u tërhequr pa votim.