Policia e Kosovës ka arrestuar sot në fshatin Soqanicë të Leposaviçit një person të nacionalitetit serb, i dyshuar për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë.
Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari, në cilësinë e ish-pjesëtarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP), dyshohet se gjatë marsit të vitit 1999 ka qenë i angazhuar si polic në Skenderaj, ku në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë ka marrë pjesë në një operacion policor-ushtarak.
Gjatë këtij operacioni, sipas hetimeve, grupi ka kryer dëbimin me dhunë të civilëve shqiptarë nga pronat e tyre, si dhe ka ushtruar dhunë fizike duke rrahur, torturuar dhe plagosur civilë. Po ashtu, i dyshuari dhe bashkëpunëtorët e tij akuzohen për vrasjen e 15 civilëve shqiptarë dhe zhdukjen e 16 të tjerëve në dy lokacione në komunën e Skenderajt.
“Policia e Kosovës respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës me dt.14.04.2026 në fshatin Soqanicë të Leposaviçit ka arrestuar të dyshuarin mashkull shtetas kosovar të nacionalitetit serb, nën dyshimin për kryerje të veprës Krime Lufte Kundër Popullatës Civile.
I dyshuari i lartcekur bazuar në hetimet e zhvilluara dyshohet se në cilësinë e pjesëtarit të MUP-it të Serbisë gjatë periudhës së luftës në Kosovë, i sistemuar në Stacionin Policor të Skenderajt, i uniformuar dhe i armatosur, në mars të vitit 1999 në Skenderaj në bashkëkryerje edhe me pjesëtarë të tjerë, të organizuar si grup, kanë marr pjesë në operacion policor-ushtarak, ku kanë bërë dëbimin me dhunë të civilëve nga pronat e tyre, kanë rrahur, torturuar, plagosur dhe privuar nga jeta pesëmbëdhjetë 15 civilë shqiptar, si dhe zhdukur gjashtëmbëdhjetë 16 civilë të tjerë në dy lokacione në Skënderaj.
Lidhur me rastin i dyshuari është intervistuar në prani të avokatit sipas autorizimit dhe me aktvendim të prokurorit të rastit, të dyshuarit i caktohet masa e ndalimit 48-orë”, thuhet në njoftim.