Një sulm ajror izraelit ka goditur urën e fundit që lidh jugun e Libanit me pjesën tjetër të vendit, ka deklaruar një zyrtar i lartë i sigurisë libaneze për agjencinë Reuters.
Sipas Agjencisë shtetërore të lajmeve NNA, ura e Qasmiyeh, e cila lidh zonën e Tirit me Sidonin, është shkatërruar plotësisht nga dy sulme të njëpasnjëshme.
Izraeli më herët ka deklaruar se shënjestron urat në Liban për të penguar përdorimin e infrastrukturës shtetërore nga grupi Hezbollah.
Sipas analizave të BBC Verify, dhjetëra qytete dhe fshatra në jug të Libanit janë shkatërruar nga bombardimet dhe prishjet ushtarake izraelite. Analiza tregon se mbi 1,400 ndërtesa janë rrënuar që nga 2 marsi, bazuar në pamje të verifikuara.
Megjithatë, BBC thekson se kjo është vetëm një pjesë e dëmeve reale, pasi qasja në terren dhe imazhet satelitore janë të kufizuara, dhe shifra e vërtetë mund të jetë më e lartë.
Ekspertë të së drejtës ndërkombëtare kanë thënë se shkatërrimi sistematik i këtyre zonave mund të përbëjë krim lufte.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite ka deklaruar se ka shkatërruar rreth 70 objektiva të Hezbollahut në zonën e Bint Jbeil në jug të Libanit gjatë ditës së djeshme.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se Izraeli është afër eliminimit të një “fortese të madhe të Hezbollahut” në këtë zonë.
Ndërkohë, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë njoftuar se kanë interceptuar një dron të lëshuar nga Libani gjatë natës, duke shtuar se njësitë detare izraelite kanë marrë pjesë në rreth 40 operacione mbrojtëse që nga fillimi i konfliktit.